Stanjacioni i kredisë – Në vendnumëro prej pesë vitesh
Kreditimi i ekonomisë është një stanjacion prej pesë vitesh. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë për ekonominë ka vlerën e rreth 545 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtat nivele me fillimin e vitit 2012. Megjithëse ekonomia shqiptare është rritur në këto pesë vjet, sadoqë me ritme të ngadalësuara, kreditimi është qartësisht në ngërç. Kjo llogaritje nuk merr parasysh kredinë për jorziedentët, që tashmë përbën afro 14% të kredisë totale për ekonominë. Po të zbresim kredinë e dhënë jashtë vendit, kredia që ka shkuar efektivisht për ekonominë shqiptare është në rënie, edhe në vlerë nominale.
Ndërkohë, nëse kredia, në terma nominalë, në rastin më të mirë ka qëndruar në vendnumëro, kreditimi real është në rënie të dukshme. Nëse në pikun e rritjes kredia për ekonominë arriti në rreth 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, tashmë, raporti i kredisë ndaj prodhimit kombëtar ka rënë në rreth 35%.
Eksperti i ekonomisë, Arjan Kadareja, shprehet se ngërçi i kredisë, në vetvete, është dëshmi e problemeve të thella në sektorin privat të ekonomisë.
Në vitet e fundit, rritja ekonomike është mbështetur nga shpenzimet publike për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe nga disa projekte madhore të investimeve të huaja direkte. Por, përtej gazsjellësit TAP, duket se gjallërimi aktivitetit të sektorit privat është mjaft modest.
Në mungesë të tregut të kapitalit, kreditimi është pothuajse forma e vetme e financimit të aktivitetit nga biznesi privat. Mosrritja e kredisë është një tregues se rimëkëmbja e ekonomike nuk është aq e sigurt dhe e shëndetshme sa mund të duket nga shifrat e përgjitshme të rritjes. Mungesa e investimeve për vite me radhë ka ulur potencialin e rritjes ekonomike dhe kjo mund të ndihet në një të ardhme afatmesme dhe afatgjatë, kur të ketë shteruar efekti i projekteve të mëhda të investimeve të huaja.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.