Statusi i naftëtarit – Gjiknuri: Prioritet punonjësit e Ballshit, mbi 900 kërkesa në përpunim e sipër
Mbi 900 kërkesa për statusin e naftëtarit janë në përpunim e sipër dhe janë të gatshme. Kështu është shprehur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë konferencës së 100 vjetorit të industrisë së naftës të zhvilluar në Kuçovë, e cila përfaqëson edhe qytetin industrial që ka jetuar dhe po jeton nga nafta.
“Ky proces po vazhdon, e di që mund të ketë pasur pak vonesa pasi kërkesat janë të shumta, ka mungesë dokumentacioni, por njëkohësisht ju them që mbi 900 kërkesa janë në përpunim e sipër dhe janë të gatshme. E kemi filluar nga Rafineria e Ballshit, pasi janë në kushte ekstreme dhe ajo industri ka qenë shumë në vështirësi dhe gati në mbyllje. Ata meritojnë një trajtim dhe këtu dua mirëkuptimin e të gjithë pjesës tjetër, por ne jemi të vendosur të vazhdojmë me këtë proces me radhë për ta përfunduar në një kohë të arsyeshme, në mënyrë që të gjithë ata naftëtarë që u takon me statusin e naftëtarit ta marrin atë status. Në fillim e nisëm me Ballshin pasi ka një emergjencë sociale dhe që duhet adresuar nga qeveria në këtë drejtim”, theksoi Gjiknuri.
Të pranishëm në këtë konferencë së bashku me ministrin Damian Gjiknuri ishin edhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, kryebashkiaku Selfo Kapllani, deputetë të zonës si dhe përfaqësues të kompanive TAP dhe SHELL. Gjiknuri vuri theksin tek potencialet që ofron vendi ynë në fushën e kërkimit të naftës, duke shtuar se Shqipëria do të zgjojë interesin e kompanive të tjera ndërkombëtare.
“Jam i bindur, besoj dhe shpresoj që operacioni i SHELL të dalë me shumë sukses dhe patjetër Shqipëria do të rrisë prodhimin e saj dhe do të zgjojë interesin edhe të kompanive të tjera ndërkombëtare, një interes që tashmë është zgjuar. Ka një interes të shtuar edhe për fushat e tjera, për mundësi të tjera të eksplorimit qoftë në tokë, qoftë në det nga kompani shumë të mëdha ndërkombëtare. Kjo është një shenjë e mire që ne duhet ta përqafojmë dhe të bëjmë çmos që ato ti kemi këtu”, tha Gjiknuri.
Më tej, ambasadori italian, Cutillo tha se historia e naftës dhe ardhja e TAP janë dy nga shumë kapitujt e bashkëpunimit midis dy vendeve.
“Një marrëdhënie kaq intensive sot sa edhe shumë vite më parë. Zhvillimi teknologjik na tregon ato mekanizmat e parë primitivë me rrota, por pavarësisht progresit teknologjik, sektori i naftës mbetet i rëndësishëm sot ashtu sikundër ishte një shekull më parë. Tani në Shqipëri është bashkuar edhe sektori i gazit me ardhjen e TAP që hap një faqe të re zhvillimi dhe bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipëri”, theksoi ambasadori.
Përfaqësuesit e TAP dhe SHELL në Shqipëri, Walter Peeraer e Turker Sengonul u shprehën të kënaqur që po kontribuojnë në të ardhmen energjitike dhe në atë të naftës.
Pusi i parë i kërkimit të naftës në Shqipëri filloi shpimin pikërisht 100 vjet më parë në Drashovicë të Vlorës, i projektuar nga gjeologu italian Leo Madalena dhe inxhinieri i naftës Amoretti, mbi bazën e studimeve gjeologjike që ata kishin kryer në vitin 1917
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.