Strategji e re për trafiqet dhe krimin kufitar – Projektvendimi me tre shtylla për 7 vitet e ardhshëm, si do menaxhohen flukset migratore
Problemi i emigracionit të paligjshëm që po prek gjithë Europën, por edhe kriteret që lindin nga procesi o integrimit në BE kërkojnë një përqasje të re të çështjeve të kufirit. Shkak për të cilin Ministria e Brendshme ka hartuar një strategji të re për harkun kohor 2021-2027. Në projektvendimin e paraqitur për konsultim public, Ministria e Brendshme thekson se strategjia do të mbështetet në tre objektiva kryesore: Së pari, Mbrojtja e sigurisë së brendshme dhe menaxhimi i flukseve migratore, me qëllim parandalimin e migracionit të parregullt, si dhe parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar; së dyti lehtësimi i qarkullimit legal të shtetasve dhe mallrave; dhe së treti, respektimi i plotë i të drejtave themelore, përfshirë trajtimin e çdo individi me respekt të plotë për dinjitetin dhe mundësimin e qasjes në mbrojtjen ndërkombëtare atyre që kanë nevojë.
Ky dokument ka si qëllim jetësimin dhe realizimin në kohë dhe më cilësi të 3 objektivave strategjikë, duke synuar të përcaktojë drejtimet e duhura për të përmirësuar më tej standardet e sigurisë kufitare. Në këtë kuadër, ky dokument strategjik do të fokusohet në përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe rregullator me synim përafrimin me acquis communitaire, forcimit të kapaciteteve të analizës së riskut, krijimit të kapaciteteve të reja dhe përmirësimit të mëtejshëm të kapaciteteve teknologjike të kontrollit dhe mbikëqyrjes së kufirit, forcimit të mëtejshëm të burimeve njerëzore dhe kapaciteteve operacionale e profesionale të autoriteteve kompetente dhe agjencive që operojnë në kufi me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar, forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkufitar (me vendet fqinje, vendet e rajonit, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe agjencitë e tij si dhe me organizatat ndërkombëtare), konsolidimit dhe riorganizimit të strukturave të integruara në kufi, forcimit të kapaciteteve dhe koordinimit ndërinstitucional për kërkimin dhe shpëtimin e shtetasve në situata të rrezikshme në det, vendosjes së një mekanizmi të kontrollit të cilësisë dhe respektimit rigoroz të të drejtëve të njeriut.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.