Strukturat akomoduese me 4 dhe 5 yje – Kriteret dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë investitorët
Subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special” duhet të plotësojnë një sërë kriteresh të përgjithshme dhe të veçanta që janë miratuar sot nga Këshilli i Ministrave. Referuar vendimit, çdo aplikues duhet të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4-5 yje në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit.
Vlera e parashikuar për investim varion të paktën deri në 8 milionë euro për ndërtimin e hoteleve me 4 yje dhe deri në 15 milionë euro për ato me 5 yje. Po ashtu, duhet që të ketë pasur xhiro të paktën 40% të vlerës së investimit në 3 vitet financiare të fundit të marra së bashku.
“Nëse aplikon për statusin special për 4 yje, të ketë investuar në ndërtimin ose menaxhon të paktën 5 struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 ose 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese dhe nëse aplikon për statusin special për 5 yje të ketë ndërtuar ose menaxhon të paktën 5 struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese;”
Strukturat akomoduese duhet të jenë në pronësi të aplikuesit dhe të jenë prezente në 3 vende të Bashkimit Europian. Në të kundërt, aplikuesi duhet të ketë investuar në ndërtimin dhe menaxhimin e 8 strukturave akomoduese në fushën e turizmit, të licencuara me 4 apo 5 yje.
Ndërkohë, lidhur me paraqitjen e aplikimit, subjekti duhet të paguajë edhe tarifën e aplikimit, e cila vijon si më poshtë:
a) Aplikuesit që aplikojnë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 4 yje, status special, duhet t’i paguajnë autoritetit tarifën e aplikimit prej 200 000 (dyqind mijë) lekësh.
b) Aplikuesit që aplikojnë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special, duhet t’i paguajnë autoritetit tarifën e aplikimit prej 300 000 (treqind mijë) lekësh.
c) Tarifa e aplikimit paguhet në llogarinë bankare të autoritetit, siç përcaktohet në dokumentet për paraqitjen e aplikimit. Tarifa e aplikimit që është paguar nuk kthehet.
Vlerësimi i kritereve për dhënien e statusit bëhet nga Komisoni. Për marrjen e tij mund të aplikojë çdo investitor shqiptar ose i huaj. Ndërkohë, lidhur me dokumentet, ato përfshijnë:
a)të dhënat bazë që kërkohen në lidhje me aplikimin;
b) kërkesat e kritereve të përgjithshme për kualifikim;
c) kërkesat e kritereve të veçanta ekonomike dhe financiare për kualifikim;
ç) formularët, si më poshtë vijon:
Formulari i aplikimit:
- Formulari i njoftimit të pranimit të aplikimit;
- Formulari i refuzimit të aplikimit;
- Formulari i ankesës;
- Formulari i sigurimit të marrëveshjes;
- Formulari i kryerjes së pagesë së tarifës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.