Studime në Amerikë, marrëveshja e re në Kuvend! – 150 mijë euro nga pala shqiptare
Me anë të një memorandumi mirëkuptimi, qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord për zbatimin e programit të shkëmbimit akademik “Fulbright” në arsim, kulturë, shkencë dhe kërkim me qëllim realizimin e përfitimeve të ndërsjella ndërmjet palëve.
Programi “Fulbright” ka siguruar më shumë se 286 000 pjesëmarrës, të zgjedhur për potencialin e tyre, me mundësinë për të vëzhguar institucionet politike, ekonomike dhe kulturore të njëri-tjetrit, për të shkëmbyer ide dhe për të ndërmarrë projekte të përbashkëta me rëndësi për mirëqenien e përgjithshme. Që nga themelimi i programit, më shumë se 46 000 studentë nga Shtetet e Bashkuara dhe 150 000 studentë nga vendet e tjera kanë përfituar nga përvoja “Fulbright”.
Pala shqiptare do të ofrojë mbështetje financiare në shumën prej 150 000 euro në vit, nëpërmjet fondit të bursave të ekselencës, për të mbështetur kostot e programit “Fulbright Student” me qëllim krijimin e më shumë mundësive për studentët, personelin akademik dhe profesionistët që marrin pjesë në këtë program.
“Fulbright” sjell qytetarë të vendeve të tjera në Shtetet e Bashkuara për studime “Master”. Ky studim zhvillohet në universitetet e SHBA-ve ose në institucione të tjera të përshtatshme. Programi ka sjellë disa nga “mendjet më të mira” të botës në kampuset e SHBA-ve dhe ofron njohuri të pjesëmarrësve të programit në shoqërinë dhe vlerat e SHBA-ve.
Më shumë se 1 800 studentë të rinj “Fulbright” të huaj marrin pjesë në programet akademike në SHBA çdo vit. Studentët e huaj aplikojnë për programin “Fulbright” Fellowships përmes Komisionit Fulbright/Foundation ose Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në vendet e tyre.
Në bazë të një procesi të hapur konkurrimi, bursat u jepen kandidatëve që shfaqin më së miri përkushtim në detyrë, si në sektorin publik dhe atë privat, si dhe potencial për të sjellë një qasje pozitive në të ardhmen e Shqipërisë. Kandidatët janë të detyruar të kthehen në Shqipëri për të paktën 2 vjet në përfundim të programit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.