Taksa e ndërtesave, sa para u arkëtuan gjatë 2017 dhe si ka ndryshuar niveli i arkëtimeve në 10 vitet e fundit?
Gjatë vitit 2017, buxheti i shtetit ka arkëtuar 4 miliard e 879 milion lekë nga taksa mbi pasurinë (ndërtesat) duke shënuar një rritje prej 201 milion lekësh krahasuar me vitin 2016, raporton portal ekonomik SCAN. Kjo taksë mblidhet aktualisht nga pushteti vendor.
Nëse analizojmë statistikat zyrtare te Ministrisë së Financave rezulton se masa e arkëtimit në 10 vitet e fundit është rritur me 4 herë, po që gjithsesi është shumë larg nivelit reale të arkëtimit të saj. Në vitin 2007, të ardhurat nga kjo taksë ishin 1.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje të përvitshme deri në vitin 2017 kur arkëtimi arriti në thuajse 5 miliardë lekë.
Pritshmëritë janë që këtë vit, arkëtimet nga kjo taksë të njohin një rritje të konsiderueshme si rrjedhojë e ndryshimit të mënyrës së përllogaritjes dhe mbledhjes së saj.
Skema e re që pritet të nisë në fillim të muajit të ardhshëm parashikon ndryshimin e përllogaritjes së kësaj takse, nga vlera fikse te vlera e tregut. Për familjarët taksa pritet të llogaritet në 0.05 % të vlerës së ndërtesës ndërsa për bizneset, 0.15%.
E në këtë kuadër, pritet të ketë një diferencim për banesat e ndërtuara para vitit 1993, për të cilat do të paguhet më pak.
Në diskutimet e përvitshme në komisionet kuvendore është shtuar problematika e mosarkëtimit të kësaj takse nga pushteti vendor e alternativat e dhëna kanë qenë që kjo taksë të mblidhet përmes faturave të ujit apo të energjisë elektrike. E nëse i referohemi deklarimeve zyrtare, pritshmëritë janë që agjenti mbledhës i saj të jetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.