Taksimi, jo solidar sa duhet – BB: Regjimi fiskal në Shqipëri nxit uljen e pabarazisë më pak se në vendet e tjera
Regjimi fiskal në Shqipëri, apo thënë ndryshe, mënyra se si qeveria shqiptare takson qytetarët, është më pak i favorshëm për të varfrit në krahasim me vendet e tjera. Këtë e thotë Banka Botërore, gjë të cilën e ilustron edhe më këtë grafik, ku siç duket qartë, Shqipëria është ndër vendet e fundit, për impaktin që regjimi fiskal ka në uljen e koeficentit gini, që njihet gjerësisht si indikatori i pabarazisë.
Por, Banka Botërore saktëson mes rreshtave se, regjimi fiskal në Shqipëri dhe Mal të zi, dy vendet e marra në analizë në këtë kontekst, nxit uljen e pabarazisë.
Ky është raporti i tretë i Bankës Botërore, ku institucioni vë theksin te skema e re e ndihmës ekonomike, duke saktësuar se, skema e re do të shënjestrojë më mirë ata që janë realisht në nevojë duke nxitur për rrjedhojë edhe uljen e mëtejshme të pabarazisë.
Në pjesën dedikuar Shqipërisë ndërkohë, Banka Botërore projekton që këtë vit, norma e varfërisë të bjerë pranë nivelit të 31.3%, nga 32.8% që ishte vitin e kaluar. Pra kemi të bëjmë me progres të lehtë. Në vitin 2020 projektohet që kjo normë të zbresë në 27.2%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.