Tarracat e gjelbra në kryeqytet, bashkëfinancim nga Bashkia – Veliaj: Të aplikojnë administratorët e pallateve
Bashkia e Tiranës do të jetë bashkëfinancuese e projekteve për të gjelbëruar tarracat e godinave në kryeqytet. Pas tarracës së godinës së Bashkisë, një tjetër tarracë e gjelbër i është shtuar qytetit, ajo e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.
Sipas kryebashkiakut Veliaj, ide të tilla do të shtrihen edhe në godina të tjera publike apo private.
“Propozimi i parë është të vijojmë me të gjithë ndërtesat publike, çka më pas të ndiqet nga ndërtesat private. Propozimi i dytë është që tarracat e gjelbra në ndërtesat private t’i bëjmë me bashkëfinacim. Sot fatmirësisht, GEF, Europol dhe Ekolëvizja kanë qenë bashkëfinancuesit e ndihmuesit e kësaj përpjekje, por në ndërtesat private këtë mund ta bëjmë fare mirë me fondin e komuniteteve, ku administratori i zgjedhur i pallatit vjen të aplikojë. Ne i japim një manual se si mund të bëhet tarraca e gjelbër dhe më pas bëjmë bashkëfinancimin, 50% Bashkia dhe 50% banorët”, u shpreh Veliaj.
Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që në bashkëpunim me administratorët e zgjedhur, të aplikojnë për projekte të tilla, të cilat jo vetëm do të përmirësojnë anën estetike të godinave, por njëkohësisht do të përmirësojnë eficencën e energjisë dhe cilësinë e ajrit.
“Tarracat janë pjesë e një bashkëpronësie. Koha kur i forti i pallatit që mendon se tarraca është e vetja dhe mund të shpojë një vrimë apo të zaptojë hapësirën, ka marrë fund. Sot ka ardhur koha që administratori, si zëdhënës i atij komuniteti, të vijë në Bashki, jo vetëm të marrë në zotërim tarracën, por edhe të zbatojë projekte të tilla”, tha Veliaj, teksa vlerësoi Fakultetin e Arkitekturës dhe të Urbanistikës që përqafuan këtë nismë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.