Të blesh nga interneti, të fundit në Europë/ Për shqiptarët, norma, 11 herë më e ulët se mesatarja, 4 herë më e ulët se Kosova
Mbyllja në shtëpi dhe rrjedha e situatës përballë një realiteti krejtësisht të ri, që shumëkënd këto ditë dhe javë e ka nxitur të kryejë blerje online, shqiptarët, në fakt, i ka gjetur të papërgatitur. Të dhënat e Eurostat tregojnë se, Shqipëria ka padiskutim normën më të ulët në Europë të popullatës që kryen blerje online.
Sipas të dhënave të fundit të zyrës europiane të statistikave, kjo normë në vendin tonë fiksohet në 5%, dhe i referohet personave mes 16 dhe 74 vjeç, të cilët kanë kryer blerje në rrjet. Të dhënat e fundit për vendin tonë i referohen vitit 2018, ndërkohë që për pjesën dërrmuese të vendeve europiane ato janë përditësuara me vitin 2019. Në 2019-ën ndërkohë, norma e mesatare e europianëve që kanë kryer blerje në rrjet fiksohet në 60%, pra 12 herë më e lartë se në vendin tonë.
Në 2018-ën, në Europë kjo normë fiksohej në 56%, pra thuajse 11 herë më e lartë. Norma prej 5% në vendin tonë është e pakrahasueshme me asnjë vend tjetër, as në rajon. Në Maqedoninë e Veriut është 5 herë më e lartë, Kosovë mbi 4 herë, Bosnje Hercegovinë thuajse 4 herë, Serbi 7 herë, dhe Mal të Zi mbi 2 herë më e lartë.
Me kalimin e viteve, pazari në rrjet ka fituar popullaritet të madh mes njerëzve, dhe norma e atyre që e aplikojnë është rritur ndjeshëm, edhe si pasojë e zgjerimit të përdorimit të internetit, por edhe si pasojë e forcimit të ndjeshëm të standardeve të sigurisë. Më krizën aktuale globale si rrjedhojë e pandemisë, tregtia në rrjet pritet të marrë një hov të paprecedentë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.