Të dielën Maratona e Tiranës. 2500 vrapues marrin pjesë, ja rrugët që do të bllokohen
Rreth 2500 vrapues nga 40 vende të ndryshme të botës do të marrin pjesë në maratonën e Tiranës, ditën e dielë.
Kjo maratonë, tha kryebashkiaku Veliaj, do t’i japë një impuls pozitiv edhe ekonomisë së qytetit, pasi është një mundësi promovimi.
“Ne presim si vrapues profesionistë rreth 2500 atletë nga 40 vende të ndryshme të botës, duke filluar nga Azia e largët, Afrika, Amerika Latine, SHBA e Europa, pra është edhe një mundësi fantastike për të prezantuar si një kartolinë qytetin e Tiranës. Ne jemi në një situatë sot ku çdo shtrat hoteli është i rezervuar në Tiranë. Në këtë sens është diçka e mirë edhe për ekonominë e qytetit”.
Këtë vit maratona do të jetë krejtësisht urbane, pra do të përshkruajë rrugët kryesore të qytetit. Sipas njoftimit të Bashkisë, nga mbrëmja e kësaj të premte do të fillojë zbrazja e rrugëve të itinerarit të maratonës, deri në orën 14 të ditës së dielë.
Veliaj kërkoi mirëkuptimin e banorëve për vështirësitë që mund të ketë me lëvizshmërinë dhe trafikun në ditët e Maratonës, duke theksuar se të mirat që vijnë prej saj janë më të mëdha sesa vështirësitë që krijohen.
“Besoj që ora e zbrazjes së rrugëve fillon sot në mesnatë dhe do të vazhdojë deri në orën 2 ditën e diel. Në orën 2 ditën e diel, i rikthehemi qarkullimit normal”.
Kufizimi i qarkullimit (dhe i parkimit) të automjeteve do të bëhet si më poshtë:
1-Ndalohet qarkullimi në sheshin “Nënë Tereza” nga ora 00:00 e datës 13 Tetor 2017, deri në datën 14 Tetor.
- Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet në rrugët “Ibrahim Rugova”, “Papa Gjon Pali II” dhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
2-Ndalohet qarkullimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Rr. “Lek Dukagjini” dhe sheshin “Nënë Tereza” në datën 14 Tetor 2017, nga ora 08:00 deri në orën 12:30.
- Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të në rrugën “Ibrahim Rugova”, “Papa Gjon Pali II”, “Rruga e Elbasanit” dhe “George W Bush”.
3-Ndalohet qarkullimi në segmentet rrugore “Lek Dukagjini”, “Ibrahim Rugova”, “Rruga e Kavajës”, deri tek rrethrrotullimi përballë “Kishës Orthodokse”, “Ded Gjo Luli”, Bulevardi “Zogu I”, “Urani Pano”, “Rruga e Barrikadave”, “George W Bush”, “Abdi Toptani” dhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në datën 15 Tetor 2017, nga ora 05:00 deri në orën 14:00.
- Qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet në rrugët “Unaza e Mesme” përveç segmentit ura e “Drejtorisë së Policisë” deri tek “Rruga e Elbasanit”, “Sami Frashëri”, “Papa Gjon Pali II”, “Rruga e Elbasanit” dhe “George W Bush” deri te “Murat Toptani”, “Vaso Pasha”, “Myslym Shyri” deri tek “Sami Frashëri”, “Hoxha Tahsin” deri tek sheshi “Avni Rustemi”.
4-Itinerari i lëvizjes së mjeteve të transportit publik do të devijojë si më poshtë:
- Rruga “e Elbasanit” do të devijohen tek “Ura e Lanës”.
- Rruga “Hoxha Tahsin” do të devijohen tek sheshi “Avni Rustemi”.
- Rruga “e Dibrës” do të devijohen tek “Medreseja”.
- Rruga” e Kavajës” do të devijohen tek “21 Dhjetori”.
- Bulevardi “Zhan D’Ark” dhe Bulevardi “Bajram Curri” do të devijohen tek ura e “Drejtorisë së Policisë” dhe tek ura e “Rruga e Elbasanit”.
Gara është kalkuluar që të ketë 3 xhiro nga 7 për profesionistët dhe 2 xhiro nga 5 për të tjerët. Janë 4 kategori që marrin pjesë, duke filluar nga profesionistët, amatorët dhe personat me aftësi ndryshe. Gjysmë Maratona e Tiranës zhvillohet në 3 kategori: 21 km; 10 km dhe “We too”, gara për persona me aftësi ndryshe. Për mbarëvajtjen e maratonës do të marrin pjesë rreth 660 vullnetarë.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.