Më të varfërit në kontinent – Eurostat: Shqiptarët konsumojnë sa 37% e një europiani mesatar në vit
Eurostat ka publikuar të dhënat më të fundit të konsumit për frymë në Europë, dhe në analizë merret edhe Shqipëria. Të dhënat janë përkthyer në standardet e fuqisë blerëse, çka do të thotë se, shifrat nuk janë absolute, por janë konvertuar edhe në bazë të të ardhurave, pasi një gjerman dhe një shqiptar nuk mund të krahasohen në kushtet jo të barabarta.
Nga këto të dhëna rezulton se, mesatarisht një shqiptar konsumon në vit sa 37% e mesatares së Bashkimit Europian. Pra, pak më shumë se një të tretën e një europiani mesatar. Me një normë të tillë, Shqipëria është e fundit në Europë, në kushtet kur krahasimi bëhet i barabartë.
Eurostat thotë gjithashtu se, në krahasim me vitin paraardhës, shqiptarët janë varfëruar në këtë drejtim pasi norma fiksohej në 38% të mesatares së Bashkimit Europian. Shifrat janë të frikshme, dhe tregojnë jo vetëm diferencën e theksuar me Europën por edhe me fqinjët.
Një malezez mesatar konsumon mesatarisht 50% më shumë se një shqiptar mesatar në një vit, thotë Eurostat. Më mirë se ne është edhe Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Serbia, etj. me radhë të gjitha vendet europiane dhe rajonale.
Shqiptarët konsumojnë një të katërtën e zviceranëve në një vit, apo edhe të norvegjezëve. Indikatori i konsumit aktual për individ është një tregues mjaft i saktë i mirëqenies së një shteti dhe renditja e Shqipërisë në vend të fundit në kontinent është një këmbanë alarmi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.