Teknologjia si zgjidhje për urbanizimin e skajshëm
Kur flitet për revolucione urbane zakonisht flitet për qytete të mëdha, si San Francisko apo Dubai. Megjithatë, nuk janë qytetet e mëdha që vihen në ballë të revolucionit urban, por qytetet e vogla.
Shembulli më i mirë është Kalasatama, një qytet që është ndërtuar nga e para në periferi të Helsinkit në Finlandë.
Zhvilluesit thonë se me përfundimin e këtij qyteti në vitin 2030, banorët do të marrin mbrapsht një orë të ditës së tyre duke jetuar atje. Kjo sepse është qytet i vogël dhe qytet i zgjuar.
Banorët e qytetit nuk harxhojnë kohë për të planifikuar hedhjen e mbeturinave. Inxhinierët kanë pajisur të gjithë shtëpitë e qytetit me një sistem vakumi nga ku çdo banor mund të hedhë mbeturinat direkt nga shtëpia dhe ato depozitohen në një pikë grumbullimi.
Një tjetër aspekt i këtij qyteti inteligjent që të kursen kohë, është plani urbanistik. Shërbimet publike, sikurse shkollat, spitalet dhe transporti janë të gjitha pranë njëra-tjetrës dhe lehtësisht të arritshme brenda një kohe të shkurtër.
Sipas një raporti të OKB-së të vitit 2018, 68% e njerëzimit pritet të jetojë në zona urbane deri në vitin 2050, si rrjedhojë zgjerimi urban dhe inovacioni janë jetike.
Por tani zhvillimi urban ka të bëjë më pak me infrastrukturën dhe më shumë me ndërtimin e një sistemi të ndërlidhur të pajisjeve që përdoren nga banorët e një qyteti, i njohur si Internet of Things (IoT).
CISCO vlerëson se deri në vitin 2020 do të ketë 50 miliardë “gjëra” të ndërlidhura me njëra-tjetrën në Internet, pra më shumë se sa njerëz. Me kalimin e internetit në shpejtësi 5G, IoT ka potencialin për të lehtësuar jetesën në qytet, duke mundësuar teknologji të tilla si sensorë të trafikut ose dronë autonomë.
E mira e kësaj teknologjie është se mund të zhvillojë potenciale të mëdha dhe për qytetet që janë tanimë të ndërtuara sipas një plani urbanistik të vjetër. Si shembull i mirë është qyteti i vjetër i Materas në Italinë jugore, qyteti i cili po punon për t’u bërë një nga qytetet e para që do shfrytëzojë internetin 5G në Evropë.
Ky qytet beson se 5G mund ta ndihmojë atë të bëhet qendër e turizmit dixhital, duke përdorur teknologji të tillë si Virtual Reality për të treguar trashëgiminë kulturore dhe artistike të qytetit.
Megjithatë komoditetet e teknologjisë së lartë kanë kosto që lidhen me të dhënat personale të qytetarëve dhe ekspozimin e tyre.
Ndërsa qytetet e zgjuara evoluojnë, qeveritë duhet të fitojnë besimin e qytetarëve për të përdorur të dhënat e tyre private me përgjegjësi, thotë Udo Kock, nënkryetari i bashkisë së Amsterdamit, ku një program i hapur i të dhënave po ndihmon për ta bërë Amsterdamin një nga mjediset më inovative të Evropës.
Qytetet e zgjuara lehtësojnë lidhjen mes qytetarëve, komunitetit dhe shërbimeve që ato marrin. Gjithashtu këto qytetet kursejnë kohë, një element i rëndësishëm ky në një mjedis urban.
Njerëzimi gjithmonë e gjen zgjidhjen e problemeve të rëndësishme që lidhen me vijueshmërinë e tij tek teknologjia. Megjithatë teknologjia krijon vazhdimisht debate të mëdha etike. Me rritjen e urbanizimit do të duhet që secili individ të kursejë pak nga privatësia e tij, në të mirën e komunitetit, pjesë e të cilit është.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.