Tilmann për Deutsche Welle: Bregdeti shqiptar i ekspozuar ndaj rreziqeve sizmike
Drejtuesi i sektorit të sizmologjisë në qendrën gjermane të Studimeve Gjeologjike (GFZ) në Potsdam ka informuar më konkretisht për median e njohur Deutsche Welle, mbi arsyet e tërmeteve në rajonin e Europës Juglindore.
Sipas tij bregdeti i Shqipërisë ka hyrë gjithmonë në ato rajone të Europës, që kanë qenë të ekspozuara ndaj rreziqeve të rënda sizmike.
“Tërmetet në këtë rajon kanë të bëjnë me lëvizje të Afrikës drejt veriut. Pllaka kontinentale afrikane lëviz me disa milimetra në vit drejt Evropës. Këto përplasje kontinentale krijojnë tensione, sidomos pjesë të mikropllakës së Adriatikut shtyhen e hyjnë nën Ballkan. Tërmeti në afërsi të Tiranës ka të bëjë me këto tensione,” është shprehur ai.
Në lidhje me mundësinë e parashikimit të tërmeteve Tilmann ka thënë se ai nuk është i mundur në gjendjen aktuale. Sidoqoftë me vëzhgimin e vazhdueshëm të aktivitetit të tërmeteve mund ta vlerësosh më mirë rrezikimin e rajoneve të caktuara në një periudhë afatgjatë. Përveç kësaj, sipas tij, për shkak të përcaktimit të shpejtë të parametrave të lëkundjeve mund të jepet ndihma me efikasitet dhe në disa raste është e mundur edhe paralajmërimi disa sekonda përpara.
Linku për lajmin e plotë:
https://www.dw.com/sq/tilmann-bregdeti-shqiptar-i-ekspozuar-ndaj-rreziqeve-sizmike/a-50543560
E.S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.