Tirana policentrike – Në 2018 hapet konkursi për Kombinatin, Kinostudion e Laprakën
“Tirana – një qytet policentrik” është një prej projekteve që pritet të nisë zbatimit gjatë vitit 2018, ndërkohë që Bashkia e Tiranës do të hapë tri konkurse për tri poliqendrat kryesore të qytetit: Laprakën, Kombinatin dhe Kinostudion.
Gjithccka parashikohet në relacionin e buxhetit , i cili është miratuar tashmë në Këshillin Bashkiak. Ndërtimi i këtyre qendrave bazohet në Planin e Përgjithshëm Vendor të Tiranës, i cili parasheh një qytet me 5 qendra të reja urbane në: Kombinat, Kinostudio, Laprakë, tek Bulevardi i ri dhe në Shkozë.
Sipas bashkisë, në këto qendra do të merren masa për nxitjen e investimeve private si dhe investime publike të Bashkisë në infrastrukturë sekondare dhe shkolla të reja si qendra komunitare me qëllim përqendrimin e një mase kritike kapitali në një hapësirë qendrore urbane.
Konkurset do të zhvillohen në rang ndërkombëtar dhe do të finalizohen me një fitues që më pas do të detajojë Planin Vendor të poliqendrës në fjalë.
Më konkretisht, këto plane do të detajojnë përdorimin e tokës dhe do të incentivojnë investimin privat, por njëkohësisht do të vendosin edhe projektet kryesore të punëve publike për t’u implementuar në këto zona.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.