Transferimet/ Sa dhe si mund t’i deklarojmë paratë në kufi? Procedura që duhet ndjekur për të shmangur bllokimet nga autoritetet doganore
Muajt e fundit, Policia Kufitare ka publikuar disa raste të përsëritura të sekuestrimit të parave në kufirin shqiptar për shkak se mbajtësit e tyre nuk i kishin deklaruar. Vetëm brenda një periudhe një mujore Policia e Shtetit ka identifikuar 3 raste të trasfertës së paligjshme të parave të cilat kapin shifrën 86 mijë euro.
Përkatësisht: Policia Kufitare ka bllokuar në Kapshticë një shumë prej 25 mijë euro dhe ka proceduar penalisht dy persona që nuk i kishin deklaruar ato në kufi. Në Kakavijë është proceduar penalisht një 46 vjeçare e cila tentoi të kalonte një çantë me 41 mijë euro. Në Rinas u ndalua një 27 vjeçar që tentoi të kalojë 20 mijë euro të pa deklaruara në doganë.
Si të deklarojmë?
Bazuar në ndryshimet e ligjit të vitit 2008, Administrata Doganore njofton të gjithë personat të cilët hyjnë në/ose largohen nga territori i Republikës së Shqipërisë, se janë të detyruar të deklarojnë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 10 mijë euro ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera, qëllimin e mbajtjes së tyre, si dhe të paraqesë dokumente justifikuese përkatëse. Deklarimi kryhet pranë zyrave të Administratës Doganore, në Pikën e Kalimit Kufitar, hyrje apo dalje.
Deklarimi kryhet nëpërmjet formularit për raportimin e transportit të vlerave në kufi (RTVK) i cili plotësohet online pranë zyrave doganore në Pikat e Kalimit Kufitar. Deklarimi i rremë apo i pasaktë apo mos deklarimi, bazuar në ligjin e mësipërm, neni 17/1, Administrata Doganore ka të drejtën e vendosjes së gjobës.
Gjobat për mosdeklarim apo deklarim të rremë janë si më poshtë:
a) për shumat nga 10 000 – 19 999 euro ose kundërvlerën e tyre në monedha të tjera të huaja, gjoba është në shumën 20 000 (njëzet mijë) lekë për herën e parë, 10 % të vlerës së padeklaruar për herën e dytë, si dhe 30 % të vlerës së padeklaruar për rastet e tjera;
b) për shumat nga 20 000 – 49 999 euro ose kundërvlerën e tyre në monedha të tjera të huaja, gjoba është në shumën 40 000(dyzet mijë) lekë për herën e parë, 20 % të vlerës së padeklaruar për herën e dytë, si dhe 40 % të vlerës së padeklaruar për rastet e tjera;
c) për shumat mbi 50 000 euro ose kundërvlera e tyre në monedha të tjera të huaja, gjoba është në shumën 60 000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë për herën e parë, 30 % të vlerës së padeklaruar për herën e dytë, si dhe 50 % të vlerës së padeklaruar për rastet e tjera.
Çdo qytetar duhet të paraqitet pranë Autoriteteve Doganore për të plotësuar formularin për raportimin e transportit të vlerave në kufi duke paraqitur dokumente plotësuese që justifikojnë burimin e të ardhurave që do të deklarojnë.
Udhëtarët duhet të kenë parasysh se deklarimi kryhet: -Përpara kontrollit të pasaportës nga autoritetet e Policisë dhe Autoritetet e Sigurisë. Nuk ka rëndësi mënyra e udhëtimit tuaj (me avion, anije, makinë, motor, biçikletë, këmbë). Nuk ka rëndësi ku ju i mbani vlerat monetare: në çantën e dorës, në bagazhe, në mjetin që udhëtoni. Edhe nëse mjetet monetare nuk janë në pronësinë tuaj. Në faqen zyrtare të doganave shqiptare evidentohet se nuk paguhet taksë për plotësimin formularit të deklarimit të vlerave monetare.
Gjithsesi, rruga më e këshillueshme për të transferuar para drejt Shqipërisë mbeten kanalet zyrtare; sistemi bankar apo institucionet financiare të tjera të licencuara për këtë shërbim.
Kanalet zyrtare të transferimit të parave
Posta Shqiptare, ofron edhe një sërë shërbime transfertash parash kombëtare/ndërkombëtare në të cilat përfshihen: Transferta të parave – Tërheqje dhe dërgesa parash brenda vendit e ndërkombëtare, të cilat realizohen nëpërmjet: Eurogiro – Transfertë ndërkombëtare elektronike të parave. Posta Shqiptare nëpërmjet rrjetit Eurogiro ofron transferta cash-cash, transferta cash-llogari bankare dhe transferta Eurogiro ECI gjysmë-urgjente.
Në sportelet e Postës transfertat Eurogiro kryhen në Lekë ose në Euro. Kjo lloj transferte kryhet për 4-6 ditë pune të bankave, njoftimi i bëhet klientit nëpërmjet postës dhe përfituesit i paguhet 100% vlera e transfertës. Ndërsa transfertat Eurogiro ECI janë transferta elektronike gjysmë urgjente, vetëm cash-cash dhe kryhet për 2-4 ditë pune të bankave. Komisioni për shumën e transfertës në euro varion nga 7 euro për tranfertën deri në 100 euro dhe 60 euro për shumën 2300 euro.
Agjencitë financiare janë një shërbim i thjeshtë dhe i shpejtë i transferimit të parave që ju mundëson të pranoni dhe të dërgoni para në të gjithë botën. Për të qenë shfrytëzues i këtij shërbimi nuk është e nevojshme të keni llogari të hapur në Bankë. Mjafton të paraqiteni në sportele me një dokument të vlefshëm identifikimi, letërnjoftim ose pasaportë, dhe të plotësoni formularin për të marrë ose për të dërguar të holla.
Njerëzit të cilët dërgojnë ose marrin para zakonisht komunikojnë mes veti dhe njoftojnë njëri-tjetrin në lidhje me kohën e dërgimit dhe shumën e parave, ndërsa paratë mund merren brenda disa minutave pas dërgimit të tyre. Komisionet për transfertat nisin nga 15 dollarë dhe 13,5 euro për transferta deri në 100 euro / dollarë deri në 130 euro / dollarë për shuma deri në 2500 dollarë / euro.
Sistemi bankar. Ne bankë ju mund të dërgoni dhe të merrni para në mënyrë të shpejtë dhe të sigurtë, në monedhë vendase apo të huaj. Nëse jeni duke realizuar një transfertë, ju duhet të plotësoni paraprakisht formularin, i cili më pas duhet të dorëzohet në një nga degët më të afërta të bankës bashkë me dokumentacionin shoqërues.
Tranfertat janë në disa kategori si: Transfertë midis llogarive personale, Transfertë për një përfitues brenda Banke, Transfertë për një përfitues brenda Shqipërisë në një Bankë tjeter, Transfertë me jashtë. Të dhënat për të kryer një transfertë në Europë kërkojnë: Përfituesin, Llogarinë IBAN që identifikon çdo përfitues në Evropë dhe është i detyrueshëm dhe Kodin BIC/SWIFT të bankës së përfituesit.
Roli i Remitancave
Remitancat përbëjnë fluksin më të madh hyrës në ekonominë shqiptare, duke lënë pas investimet e huaja direkte dhe eksportet. Ato kanë qenë fluksi financiar më i qëndrueshëm dhe më i sigurt në ekonominë shqiptare, në vite.
Remitancat janë burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare. Ato kontribuojnë pozitivisht në arsimim, shëndetësi, investime, si dhe në uljen e varfërisë. Remitancat nxisin përfshirjen financiare të popullatës, e cila ndikon në rritjen e mirëqenies, reduktimin e pabarazisë në vend dhe fuqizon rritjen ekonomike. Dërgesat e migrantëve do të konsiderohen si një nga instrumentet e rëndësishme të zhvillimit të vendit.
Strategjia Kombëtare për Diasporën parashikon bashkërendimin në nivel kombëtar të punës së institucioneve përgjegjëse shtetërore për të hartuar me njëri-tjetrin një plan veprimi për remitancat, i cili: Do të identifikojë praktikat e mira për dërgesat në para, Do të shtrijë më gjerë shërbimet bankare në Shqipëri dhe do të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet bankave shqiptare dhe simotrave të huaja për remitancat, Do të zgjerojë kapacitetet e institucioneve të tjera financiare dhe të Postës shqiptare për të përmirësuar shërbimin e transfertave të dërgesave në para, Do të rrisë kapacitetet e institucioneve shtetërore dhe organizatave të diasporës në vendet pritëse për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për hartimin e iniciativave të përbashkëta.
Nga Nebi Xhomaqi/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.