Transporti i parave drejt zgjidhjes – Negociatat me Lufthansën, në fazë të avancuar
Negociatat me grupin Lufthansa për të rinisur transportin e parave jashtë vendit janë në fazë të avancuar. Shoqata Shqiptare e Bankave shprehu të mërkurën besimin se kjo çështje do të marrë së shpejti një zgjidhje, edhe falë masave të reja të sigurisë të marra në Aeroportin e Tiranës. Gjatë një takimi me mediat, kryetari i Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave, Silvio Pedrazzi, mbështeti masat e marra pas grabitjes, duke përfshirë vendosjen e ushtrisë në perimetrin e jashtëm të aeroportit.
Zoti Pedrazzi shpjegoi se transporti periodik i parave jashtë vendit është një proces i domosdoshëm, i lidhur me tepricën e likuiditetit në valutë të sistemit bankar shqiptar. Ai tha se bankat mbështesin forcimin e rregullave të sigurisë në të gjithë zinxhirin e transportit të vlerave monetare, por sidomos një zbatim më të rreptë të normave ekzistuese.
Pedrazzi shpjegoi se i gjithë procesi i vendosjes së parave jashtë karakterizohet nga një përqendrim i lartë, për shkak të kufizimeve operacionale. Menaxhimi fillestar i cash-it që dërgohet jashtë ofrohet nga shumë pak banka, një ndër të cilat është Raiffeisen International. Fakti që me linjë direkte drejt Vienës operon një operator fluturimesh dhe që këto dërgesa janë të kushtueshme, i kufizon zgjedhjet e bankave në këtë drejtim.
Për grabitjen e dy javëve më parë u shpreh të martën edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Ai tha se i gjithë sistemi bankar në vend është i shqetësuar nga përsëritja e këtyre ngjarjeve dhe nga ndikimi i tyre në imazhin e vendit para investitorëve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.