Transporti nën masat anti covid – Vëzhgimi/ Qytetarët, me maska në urban. Policia bashkiake, monitorim në stacione
Pas 4 muajsh bllokim transporti publik ka rinisur aktivitetin, sipas kushteve të reja të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me qëllim frenimin e përhapjes së COVID-19. Mbajtja e maskës nga udhëtarët dhe punonjësit e transportit është një nga detyrimet kryesore, që duhet të zbatohen. Ndërkohë që, nga një vëzhgim I TV SCAN duket se qytetarët i kanë marrë masat në këtë drejtim.
Nëpër stacionet e autobusëve u vunë re dhe punonjës të policisë bashkiake dhe të kompanisë shtetërore të sigurisë fizike, të cilët monitoronin situatën në drejtim të zbatimit të masave detyruese.
Udhëtarët do të jenë objekt kontrolli nga institucionet shtetërore, ndërkohë që në rast se nuk do të zbatojnë masat do të penalizohen. Ndërkohë që, detyrime ka edhe për operatorët e transportit të cilët do të duhet të dezinfektohen në mënyrë periodike, ndërsa për personelin duhet të sigurojnë edhe dezinfektant.
Kalimi i përgjegjësisë për mosrespektimin e masave anti-covid te qytetarët duket se zgjidhi ngërçin për rifillimin e aktivitetit të transportit publik. Megjithatë, operatorët thonë se do të vazhdojnë me kërkesat ekonomike, si e vetmja formë për të kapërcyer krizën. Nga ana tjetër, edhe punonjësit kërkojnë q nga qeveria pagën e dytë prej 40 mijë lekësh, pasi për 4 muaj ata kanë përfituar vetëm një pagesë 40 mijë lekë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.