Transporti po sofistikohet – Pasagjerët “braktisin” detin, i lënë “stafetën” mallrave
Te dhënat më të fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se gjatë muajit të parë të këtij viti, transporti i pasagjerëve nëpërmjet detit, si në hyrje, ashtu edhe në dalje, ka rënë lehtë.
Sipas këtyre të dhënave, në Janar të 2017-ës, nëpërmjet detit u transportuan 75.984 pasagjerë. Në Janar të vitit aktual ndërkohë, ky numër zbriti në 67995, pra në një rënie më 11.4%.
Ky është një trend i qëndrueshëm gjatë viteve të fundit, kryesisht për shkak të tarifave më të ulta të fluturimeve ajrore apo edhe shtrenjtimit të tarifave të transportit detar, pa llogaritur këtu lehtësitë që ofron transporti ajror.
E ndërkohë që të dhënat për Janarin flasin për një tkurrje të transportit të pasagjerëve nëpërmjet detit, jo e njëjta gjë mund të thuhet për transportin e mallrave, përkundrazi.
Në Janar të vitit të kaluar u transportuan rreth 218 mijë tonë mallra me det, ndërsa në Janar tët këtij viti, pak më shumë se 300 mijë tonë, ç`ka përkthehet në një rritje me rreth 38%.
Kjo do të thotë se, sektori i transportit në vend po sofistikohet ndjeshëm. Transporti modern ka tendencën që pasagjerët t`i kanalizojë nëpërmjet ajrit, të paktën fluksin më të madh, ndërsa mallrat t`i kanalizojë nëpërmjet detit, për shkak të kostove më të ulta që ka.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.