Tregu i sigurimeve – Nis me rënie prej 1.6% viti 2018
Tregu i sigurimeve e nisi në rënie vitin 2018. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për muajin janar volumi i primeve të shkruara bruto ra me 1.6% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Tregu vazhdon të mbështetet kryesisht në segmentin e jo-jetës dhe më veçanërisht në sigurimet e detyrueshme motorike, që për janarin zinin afro 66% të vlerë totale të primeve të arkëtuara. Klasat e sigurimeve motorike u rritën me 2.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rënia e tregut erdhi sidomos nga një fillim i dobët i vitit për kategorinë më të rëndësishme të sigurimeve vullnetare, atë kundër zjarrit dhe forcave të natyrës. Primet e shkruara bruto në këtë klasë pësuan rënie me 46% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, aktiviteti i sigurimit të jetës shfaqi një ecuri disi më të mirë në raport me pjesën tjetër të tregut, me një rritje të primeve prej 7%.
Në krahun tjetër, dëmet e paguar nga siguruesit kanë regjistruar një rritje vjetore me 9.8%. Rritja e dëmeve të paguara në muajin janar të këtij viti ka ardhur kryesisht nga sigurimet motorike.
Dëmet nga produktet e detyrueshme u rritën me 37%, ndërsa ato nga sigurimi Kasko me 45%. Sigurimet e detyrueshme motorike vazhdojnë të dominojnë strukturën e dëmeve, me mbi 60% të totalit.
Raporti mes dëmeve dhe primeve u rrit në 25.2%, nga rreth 22.6% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke ngelur sidoqoftë në nivele shumë të ulëta krahasuar me vendet e tjerë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.