Triumf Grup hyn në ALSE – Anëtarësohet shoqëria e parë e brokerimit
Këtë javë, ka nisur zyrtarisht tregtimin në Bursën Shqiptare e Titujve, ALSE, shoqëria e pestë anëtare e saj. Bëhet fjalë për Triumf Grup, e para Shoqëri Brokerimi e licencuar nga AMF për tregtimin e letrave me vlerë të Qeverisë në Bursë, në qershor të vitit 2019. Triumf Grup është anëtari i pestë i Bursës ALSE dhe tregton me të drejta të plota së bashku me Credins Bank, Bankën Amerikane të Investimeve, Bankën Ndërkombëtare Tregtare dhe Tirana Bank.
Triumf Grup u anëtarësua pranë ALSE në 30 janar të këtij viti, ndërsa nisi zyrtarisht tregtimin këtë javë. Sipas ALSE, anëtarësimi i Triumf Grup është një risi për tregun e titujve, pasi është e para Shoqëri Brokerimi që ndërlidh Firmat e Brokerimit, Kujdestarët e Titujve dhe Depozitarin e Titujve, vetëm nëpërmjet platformës së tregtimit të Bursës.
Bursa Shqiptare e Titujve nisi veprimtarinë në shkurt të vitit të kaluar, me tregtimin e bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare. Që nga data 23 shkurt e këtij viti, ALSE është ligjërisht e autorizuar të tregtojë edhe tituj të kompanive private. Megjithatë, nisja e tregtimit për kompanitë private do të kërkojë edhe disa muaj kohë, sepse regjistrari i Bursës, ALREG, duhet të licencohet edhe nga Banka e Shqipërisë si sistem për shlyerjen e pagesave.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.