Turizmi nuk zhgënjen – PBB-ja u rrit me 3.81% në tremujorin e tretë
Sezoni turistik i ka dhënë shtysën e pritur rritjes ekonomike për tremujorin e tretë. Instat raportoi të martën se Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.81% me bazë vjetore, duke përmirësuar ndjeshëm rritjen e plogësht prej rreth 2.3% që ishte regjistruar në dy tremujorët e mëparshëm. Të dhënat sektoriale dëshmojnë se, veç tregtisë dhe shërbimeve të lidhura me turizmin, një ndikim në rritje dha edhe industria nxjerrëse. Ndërkohë, zbutja e diferencave vjetore të prodhimit të energjisë e reduktoi efektin negative të këtij sektori në rritjen ekonomike.
Në rast se goditja e energjisë po shkon drejt amortizimit, ndikim negativ në rritje për tremujorin e tretë dhanë sërish sektori i lojërave të fatit dhe ndërtimit. Mbyllja e lojërave të fatit pritet t’i shtrijë efektet në rritjen ekonomike gjatë gjithë vitit, ashtu si edhe reduktimi i ndjeshëm i aktivitetit në gazsjellësin TAP, që është drejt përfundimit të plotë për pjesën që i takon Shqipërisë.
Rritja e mbështetur kryesisht nga turizmi gjen përputhje edhe ecurinë e komponentëve të kërkesës agregate. Për tremujorin e tretë, konsumi privat u rrit me pothuajse 3.9%, duke shfaqur kontributin më të lartë në rritjen ekonomike qysh prej tremujorit të dytë të vitit 2016. Ndërkohë, përfundimi i projekteve madhore të investimit në energji ka bërë që formimi bruto i kapitalit fiks në ekonominë shqiptare të bjerë për të dytin tremujor radhazi, këtë herë me 1.9%.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.