Unaza e Madhe – Balluku: Projekti, jo i anulueshëm! Loti 2 dhe 3 vazhdojnë sipas procedurave
Loti i 2–të dhe i 3-të i projektit të Unazës së Madhe vazhdon sipas procedurave të kryera. Deklarata ka ardhur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila tha përmes një deklarate për mediat se do të vijojë normalisht prishja e godinave që pengojnë projektin. Ndërsa është ndalur te kompensimet, Balluku ka shtuar se nuk do të mbetet asnjë banor në rrugë, edhe ën rast se nuk kanë një titull pronësie.
“Loti i 2 dhe 3 vazhdojnë sipas procedurave të kryera. Po ashtu, procesi i shpronësime është në vijë sipas ligjit e në respekt të së drejtës që gëzon çdo titull pronësie. Familje në mes të rrugëve edhe kur nuk e kanë një titull pronësie ne nuk do të lëmë. Prishja e godinave që pengojnë projektin do të vazhdojë pa asnjë diferencim sipas ligjit.”
Ndërkohë, ka njoftuar ndër të tjera krijimin e një tryeze me Bashkinë e Tiranës dhe specialistë për të bërë vlerësimin teknik për projektin e lotit të 3-të, ku sipas saj në fokus do të jetë nyja e quajtur ‘Rrethrrotullimi i Shqiponjës.’ Po ashtu, shtoi se i ka kërkuar Autoritetit Rrugor Shqiptar që të zhvillojë ‘live’ para publikut çdo garë publike.
“I kam kërkuar ARRSH-së që të përgatitet që çdo garë publike të organizuar prej atij institucioni të jetë live para publike. Ndërkohë, që dy projektet strategjike të PPV-ve për akset Milot-Balldre dhe Orikum-Llogara do t’ia përcjell qeverisë dhe pastaj parlamentit për të siguruar një debat transparent mbi faktet e shifrat në sytë e publikut dhe evituar për aq sa mundemi debatet e neveritshme me akuza e me shpifje për çdo punë që baltoset pa u nisur akoma.”
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.