Uplift Albania – Përzgjidhet fituesi i edicionit të dytë të garës së startup-eve shqiptare
Akseleratori i parë i start-up-eve në Shqipëri, “Uplift Albania”, organizoi mbrëmjen finale të edicionit të dytë, pas një trajnimi intensiv katër mujor me mentorim vendas dhe të huaj. Aktiviteti u zhvillua pranë ambienteve të Liceut Artistik, duke respektuar masat anti – COVID, çka bëri që një pjesë e folësve të ishin të pranishëm fizikisht, e një pjesë virtualisht. Pjesë e finales së Uplift Albania ishte edhe kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj si dhe Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Z. Eduard Shalsi.
“Ja ku është një grup me njerëz që nuk e ka kaluar kohën kot, sepse jam i sigurtë që secili prej jush mund të thoshte u çmenda me pandeminë, ky tërmeti na ka bërë të gjithëve me depresion, po fakti që zgjodhët që në mënyrë kreative të mendonit për këto ide që mund të financohen dhe nesër mund të behën ide globale dhe mund të bëhen tentativa të shkëlqyeshme e të suksesshme për biznes, më inkurajon jashtë mase dhe jam shumë krenar për secilin prej jush ” u shpreh Kryetari i Bashkisë, z. Erion Veliaj.
Pas garës së fortë midis konkurrentëve, 8 startup- et që arritën finalen e madhe Demo Day ishin: një projekt që lufton plagjiaturën, një platformë për menaxhimin e palestrave, një aplikacion që bashkon shoferët dhe pasagjerët, një platformë për krijimin e dyqaneve online, një mjet prokurorimi, një platformë në mbështetje të potencialit turistik të Shqipërisë, një mundësi për transformimin e shitblerjes online, si dhe një aplikacion për përgatitjen e vakteve për sportistët.
“Shqipëria është ekspozuar si asnjëherë tjetër në të gjithë tregjet e Izraelit, Gjermanisë, Çekisë, Sllovakisë, Amerikës, e shumë shtete të tjera, të cilët janë të interesuar për Ballkanin Perëndimor dhe startup-et. Ishte një program shumë intensiv do të thoja dhe mendoj se ja kanë dalë shumë mirë” tha Kushtrim Shala, Partner Menaxhues dhe Bashkëthemelues, ICTSlab.
Edicioni i dytë i Uplift Albania u mbyll me shpalljen si fitues të çmimit të parë prej 3.000 euro të startup-it Crossplag, ideja e cila ka në vizionin e vet luftën ndaj plagjiaturës. Çmimi i dytë dhe i tretë prej 1.000 euro shkuan për startup-in Hermex, platformës që mundëson krijimin e dyqaneve online, dhe startup-it Udhë, një aplikacion që bashkon shoferët dhe pasagjerët.
Finalja e Uplift Albania përfshiu edhe një sërë çmimesh të tjera, të cilat kanë në fokus projekte bashkëpunuese për shkëmbimin e eksperiencave me institucione vendase, apo startup-e simotra të Bashkimit Europian.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.