Veliaj në Napoli, fton investitorët strategjikë: Shqipëria kompetitive, paketë ideale e taksimit
“Tirana dhe Napoli do të krijojnë sërish marrëdhënie të forta pas 500 vitesh”. Kjo ka qenë deklarata e kryebashkiakut Erion Veliaj, gjatë vizitës së tij në Itali, ku ishte i ftuari i nderit në edicionin e XIX të Konventës së Sipërmarrësve të Ndërtimit të Italisë, e mbajtur në Napoli.
Gjatë vizitës Veliaj u prit në një takim edhe nga kryetari i Bashkisë së Napolit, Luigi de Magistris, me të cilin diskutoi mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, politik dhe social midis dy qyteteve. Duke theksuar se Tirana dhe Napoli kanë shumë të përbashkëta, Veliaj tha se kryeqyteti shqiptar është sot një qytet që po transformohet çdo ditë. Ai tha se shumë shpejt ky takim i rëndësishëm do të pasohet nga vizita e kreut të Bashkisë së Napolit në Tiranë për të hedhur themelet për çfarë mund të bëjnë dy qytetet në fusha si turizmi, agrikultura, teknologjia e informacionit.
Kreu i Bashkisë së Tiranës nënvizoi për sipërmarrësit italianë se shumë prej operatorëve turistikë të hoteleve apo investitorë në fushën e ndërtimit cilësor, sidomos në zonat bregdetare apo edhe në Tiranë, e shohin Shqipërinë si një vend ideal. Veliaj siguroi se Tirana dhe Shqipëria ofrojnë një sërë mundësish, sidomos për investitorët strategjikë, për të cilët qeveria ka krijuar ulje të konsiderueshme të taksave.
“Konventa e ndërtuesve dhe zhvilluesve të Italisë ishte një mënyrë fantastike për të promovuar incentivat që ka krijuar qeveria shqiptare për investitorët e huaj. Krahasuar me taksat italiane, që janë mbi 50%, qeveria e kryeministrit Edi Rama i ka taksat deri në 15%. Kjo do të thotë se për shumë investitorë italianë, që janë lodhur me taksat e burokracinë, Shqipëria është një vend ideal për të investuar”, tha Veliaj.
Ai më tej shtoi se: “Vendi ynë është kompetitiv si në krahun e punës, ashtu edhe në mënyrën se si qeveria ka ofruar një paketë ideale të taksimit. Sot jemi në një situatë ku për investitorët strategjikë, të cilët investojnë në disa milionë euro, qeveria ofron një ulje të konsiderueshme të taksave. Pra, ishte një mënyrë për të prezantuar qytetin, por edhe incentivat e qeverisë për cilindo investitor që dëshiron të investojë në Tiranë”.
E themeluar që në vitin 1946, ANCE përfaqëson industrinë italiane të ndërtimit, pjesë e së cilës janë rreth 20.000 kompani private, të specializuara në vepra publike, ndërtime për banesa, ndërtime tregtare apo industriale, etj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.