Video/Panik në avionin e “Albawings” – Pasagjerët braktisin bordin, AAC: 3 kompanitë me performancën më negative
Rrjedhja e karburantit dhe dalja e tymit ka shkaktuar panik te pasagjerët e avionit të kompanisë ajrore “Albawings” të cilët janë detyruar të braktisin bordin para nisjes së fluturimit nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Pasagjerët kanë postuar në rrjetet sociale momente nga zbritja, ndërkohë që fluturimi drejt Firences u anulua. Sipas raportit të performancës, publikuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil “Albawings” është 3 nga kompanitë më problematike në drejtim të anulimit apo vonesave të fluturimeve.
Përgjatë muajit shtator kjo kompani regjistroi 10 anulime dhe vonesa mbi 2 orë, ndërkohë që lista kryesohet nga kompania ‘Blue Panorama’ me 19 vonesa dhe anulime. Kompania e tretë me performancën më negative është ‘Ernest”, që ka regjistruar 6 të tilla.
Sipas të dhënave zyrtare vetëm në muajt korrik, gusht dhe shtator u shënuan 131 vonesa apo anulime fluturimesh, shifra që janë dukshëm më të larta në krahasim me muajt e parë të vitit.
Kjo pasi për periudhën janar – qershor nga këto kompani janë shënuar në total 65 anulime apo vonesa mbi 2 orë, që gjithsesi mbetet një shifër problematike.
Ndërkaq, pavarësisht numrit të lartë të anulimeve, të paktë janë pasagjerët që kanë arritur të përfitojnë një kompensim, si një e drejtë themelore e tyre.
Për mbrojtësit e konsumatorëve, përveç se nevojiten fushata të mirëfillta informimi, duhet që institucionet shtetërore të ushtrojnë siç duhet kompetencat e tyre mbi kompanitë ajrore.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.