Vjen amnistia 1 mujore për Hipotekën! Regjistrimi i pronës, çfarë falet
Ligji i ri për krijimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës tashmë ka hyrë në fuqi duke i hapur rrugë edhe amnistisë së re për pronat e paregjistruara në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Në ligjin e mëparshëm parashikohej se nëse një kërkesë për regjistrim paraqitej më vonë se 30 ditë nga data e realizimit të tij, përveç tarifës së regjistrimit, për çdo ditë vonesë, që ka kaluar nga kjo datë, paguhej kamatëvonesë, e barabartë me 10 për qind të tarifës së regjistrimit, por jo më shumë se 300 000 lekë.
Me ligjin e ri, parashikohet se të gjitha kamatëvonesat e gjeneruara nga sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji, do të shuhen.
Deri në gjysmën e dytë të muajit prill të këtij viti ata që veç tarifës së regjistrimit të pasurisë kanë edhe kamatëvonesë, do të mund të bëjnë regjistrimin duke paguar vetëm tarifën e regjistrimit, pasi kamatëvonesa u falet.
Një vendim i tillë është njoftuar edhe më herët nga kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.