‘Zbardhet’ takimi i kryeministrit Rama me homologun grek: ‘’Së shpejti në Parlament njohja e patentave”
Kryeministria ka dalë në një deklaratë zyrtare mbi takimin e zhvilluar mes kreut të ekzekutivit shqiptar, Edi Rama dhe homologut të tij grek, Kyriakos Mitsotakis.
Çështjet kryesore të takimit kanë qenë bashkëpunimi i ngushtë dhe forcimi i marrëdhënieve midis palëve. Kryeministri grek ka shprehur shqetësimin për të vazhduar punën me çështjet e pronave dhe të vetëdeklarimit/censusit së komunitetit grek në Shqipëri. Nga krahu tjetër ai është shprehur se marrëveshja bilaterale për njohjen e ndërsjelltë të patentave do të kalojë së shpejti për miratim në parlamentin grek.
Biseda është sjellë gjithashtu edhe rreth perspektivës europiane të Shqipërisë, e konfirmuar edhe njëherë nga kryeministri ynë dhe e cila ka marrë mbështetjen e plotë të zotit Mitsotakis duke shprehur miratimin e tij për sa kohë vendet e Ballkanit Perëndimor përmbushin të gjitha kërkesat për anëtarësim.
Më poshtë deklarata e plotë:
Deklarata e Kryeministrisë:
Kryeministri Edi Rama është pritur në një takim me frymë pozitive nga Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis. Në këtë takim u diskutuan të gjitha çështjet e përbashkëta. Kryeministri i Shqipërisë theksoi se pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, Shqipëria do të vazhdojë zbatimin e reformave me të njëjtën vendosmëri.
Në të njëjtën kohë është në interesin e Shqipërisë po aq sa është në interesin e Greqisë fqinje, theksoi Rama, të diskutohen të gjitha çështjet me interes të përbashkët dhe të forcohet bashkëpunimi mes të dyja palëve. Kyriakos Mitsotakis theksoi se Greqia mbështet prespektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa kohë këto vende përmbushën të gjitha kërkesat për anëtarësim.
Më tej, ai mirëpriti angazhimin e palës shqiptare për të vazhduar punën me çështjet e pronave dhe të vetëdeklarimit/censusit, të cilat janë shqetësime për minoritetin grek në Shqipëri.
Veç kësaj, Kryeministri grek theksoi se marrëveshja bilaterale për njohjen e ndërsjelltë të patentave do të kalojë së shpejti për miratim në parlamentin grek. Kryeministri i Shqipërisë ftoi Kryeministrin e Greqisë për të vizituar Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën ai e pranoi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.