Zejtarët në “regjistër” – Sinjari: Në janar nis punën Dhoma e Zejtarëve
Formimi profesional po shihet gjithnjë e më shumë si një opsion për tu integruar në tregun e punës. Tashmë të gjithë ata që kanë një zanat do të “licencohen” nga Dhoma Kombëtare e Zejtarëve. Koli Sinjari, Drejtor i Projekteve pranë “Biznes Albania”, u shpreh në një intervistë për TV SCAN, se në janar të vitit të ardhshëm do të bëhet efektive kjo dhomë, ku do të nisë edhe regjistrimi zyrtar i gjithë zejtarëve.
“Ka një perceptim edhe këtu, jo shumë të qartë. Kur themi zejtarë, nuk flitet për artizanë vetëm. Këtu flitet për zejtarë të cilët janë në sektorin e industrisë, në sektorin e përpunimit të metaleve, janë zejtarë njerëzit që punojnë në mënyrë manuale por që janë në shtypshkronja, në qeramikë, në të gjithë sektorët e tillë të ekonomisë dhe industrisë dhe nuk është vetëm bërja me dorë në sektorët e industrisë. Dhe sot në Tiranë kemi identifikuar rreth 2400 – 2500 zejtarë, të cilët ne më shumë i konsiderojmë zejtarë profesionet e ndryshme, profesione të cilët janë me punë në dorë sepse ne na duhet shumë që këto profesione t’i zhvillojmë dhe të krijojmë jo vetëm trajnime, por edhe certifikime mbi bazë kombëtare dhe ndërkombëtare. Po identifikojmë edhe zejtarët në qytetet kryesore të cilët quhen ‘qytete me tradita zejtarësh’, të cilat dhe këto janë mbi 1000 punonjës, 1000 zeje.”
Aktualisht nuk ka një shifër të saktë të numrit të zejtarëve të lirë që zhvillojnë aktivitetin e tyre ekonomik në vendin tonë. Aktualisht në gjithë vendin janë të regjistruar 135 mijë biznese të vogla dhe të mesme, që zënë afro 90 % të sipërmarrjes në vend.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.