Negociatat për zgjedhjet, delegacioni i BE bën publike propozimet e McAllister e Fleckenstein dhe qendrimet e palëve
Pas negociatave të zhvilluara në Tiranë për zgjidhjen e krizës politike e përcaktimin e “fatit” të zgjedhjeve parlamentare, negociatorët europianë kanë bërë publike ecurinë e diskutimeve të ditëve të sotme.
“Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian David McAllister (PPE) dhe Raportuesi për Shqipërinë i Parlamentit Evropian Knut Fleckenstein (S&D) u takuan me maxhorancën dhe opozitën dhe patën një diskutim të mirë. Dy europarlamentarët paraqitën propozime për të ardhmen që përfshinin pika mbi dekriminalizimin, luftën kundër lëndëve narkotike, masa teknike për përmirësimin e kryerjes së zgjedhjeve, si dhe masa për ndërtimin e besimit politik.
Ata propozuan gjithashtu ide për diskutim mbi datën e zgjedhjeve dhe ndryshime të mundshme parazgjedhore në strukturat e qeverisë për të ndërtuar besim afatgjatë te sistemi. Nga ana e maxhorancës pati dakordësi mbi pikat e propozuara me kusht që vetingu të votohet në parlament. Partia Demokratike iu përmbajt pozicionit të saj për emërimin e një kryeministri teknik dhe miratimin e një sistemi elektronik votimi për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme” shkruhet në deklaratën e shpërndarë nga zyra e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.