Reforma në Arsim- Rama: Do të ketë vetëm 4 Drejtori Arsimore
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot në një diskutim mbi Zhvillim Profesional të Mësuesve se do të ketë vetëm 4 Drejtori Arsimore.
Këto drejtori do të vendosen në 4 rajone sipas një harte të ndërtuar bazuar në zhvillimin ekonomik dhe jo në sensin e ndarjes administrative, tha Rama.
Po ashtu, sipas kryeministrit, do të ndryshojë edhe roli i Zyrave Arsimore, duke u bërë kështu nga zyra emërimesh dhe shkarkimesh, në garant të cilësisë në funksion të realizimit të programit.
Ai tha se portali i Mësuesve për Shqipërinë ka dhënë rezultate të qarta.
“Portali do të bëjë të panevojshme ndërhyrjen njerëzore, bazën e të dhënave për pikët e testeve, krediteve, çdo zëvendësim kur dikush del në pension do të bëhet në mënyrë kompjuterike,” shtoi më tej Rama.
E pranishme ishte edhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, e cila tha se do të fillojë një reformë tërësore. Kjo do të bëhet duke aplikuar kuotat e mbyllura dhe duke rritur nivelin mesatar.
Lidhur me testin që iu nënshtruan mësuesit, Nikolla e vlerësoi atë të një niveli mesatar. Sipas saj, në Universitete janë regjistruar rreth 400 studentë për t’u bërë mësues që tregu i punës nuk i përthith.
“Në Janar startojmë me programin dhe platformën e re duke vënë theksin te Universitetet dhe Fakultetet e Edukimitt. Do të akreditojmë ato Universitete që kualifikojnë mësues cilësorë,” tha në fjalën e saj Nikolla.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.