Rama i bën thirrje SHBA: Ballkani në ‘kthetrat’ e Rusisë, mos na braktisni
Në një intervistë për të përditshmen britanike, “The Telegraph”, kryeministri Edi Rama paralajmëroi se Ballkani është duke u gjendur në kthetrat e Rusisë. Sipas tij, Moska po shtrin ndjeshëm influencën në rajon.
Për këtë, kryeministri shqiptar kërkoi ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Ballkani nuk do të ishte një vend ku mbizotëron paqja dhe bashkëpunimi”, nënvizon Rama.
Ai deklaroi gjithashtu se, rajoni është me rëndësi të madhe edhe për vetë shtetet e bashkuara. “Edhe për shtetet e bashkuara, rajoni ka një rëndësi të madhe strategjike ashtu siç kanë Shtetet e Bashkuara rëndësi për ne”, deklaron kryeministri shqiptar për prestigjiozen britanike.
“Prezenca e Rusisë në rajon është më e fortë se më parë, të paktën në qarqet politike, veçanërisht në Serbi dhe Mal të Zi. Politikat ruse nuk përputhen me ambicien e Ballkanit për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian”, vijon Rama intervistën e tij.
“The Telegraph” shkruan gjithashtu se, këto deklarata mbështeten edhe nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, paçka se ky i fundit duket se flet më hapur.
“Ka një mungesë fokusi nga partnerët tanë kryesorë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian në Ballkan”, citon the Telegraph kreun e diplomacisë shqiptare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.