10 mln euro për fshatin – Nis zbatimin programi 4-vjeçar, mundësi edhe për zgjerimin e ofertës turistike
10 milion euro të financuara nga Ministria Federale Gjermane e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik do të injektohen në ekonomitë bujqësore përmes programit të “Zhvillimit të Qëndrueshëm Rural”, i cili synon mbështetjen e prodhuesve shqiptarë dhe ngritjen e sektorit të agroturizmit. Sipas zv. ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeçi fokusi i programit do të jenë të rinjtë, ndërkohë që projekti fokusohet në 4 drejtime kryesore.
Ndërkaq, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Turizmit, zhvillim rural shihet si një mundësi për shtrirjen e ofertës turistike në 12 muaj.
Aktualisht bujqësia zë 43% të punësimit në Shqipëri , ndërkohë që rreth 350 mijë biznese bujqësore janë fermerë me të ardhura të ulëta. Sipas Ministrisë së Bujqësisë Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm rural, ndërkohë që programi 4-vjeçar që përfundon në vitin 2022 pritet të krijojë një model të ri, duke iu dhënë mundësi fermerëve të diversifikojnë aktivitetin në fshat.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.