19 reforma në 3 vite – Dokumenti i qeverisë, ja ku do shkojnë paratë në 2017-2019
Programi ekonomik i reformave në vitet 2017-2019 parashikon nisma ligjore por edhe projekte specifike të cilat do të mbështesin 19 reforma.
Këto të fundit i përkasin sektorëve të ndryshëm nga energjia, tek transporti apo turizmi. Harmonizimi i programit ekonomik trevjeçar është bërë edhe me dokumente të tjera të rëndësishme siç është Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.
Por cilat janë në fakt 19 reformat që cilësohen si prioritare. E para është strategjia për menaxhimin e Financave publike ku mes të tjerash parashikohet edhe një përmirësim për prokurimet publike.
E dyta ka të bëjë me reformën në sektorin energjetik dhe kryesisht me liberalizmin ndërkohë që në vazhdim kërkohet angazhim për diversifikimin e burimeve e lidhur kjo me gazifikimin.
Dy reformat e tjera lidhen me infrastrukturën ku fillimisht është studimi i fizibilitetit për ndërtimin dhe përmirësimin e Korridorit Adriatiko-Jonian dhe më pas edhe rehabilitimi dhe ndërtimi i segmentit hekurudhor Durrës-Aeroporti i Rinasit-Tiranë.
Një tjetër reformë është edhe ajo e miratimit të kuadrit ligjor e rregullator për zhvillimin e infrastrukturës së bandës së gjerë.
Më pas me radhë konsolidimi dhe defragmentimi i tokës bujqësore, standardizimi i industrisë së turizmit, prezantimi i politikave strategjike për industrinë joushqimore, reduktimi i barrierave për biznesin, zbatimi i planit kombëtar për reduktimin e kredive të këqija në sistemin bankar, zhvillimi i politikave për inovacionin, kërkimi shkencor, lehtësimi i tregtisë, unifikimi i legjislacionit të investimeve, tregu i punës, kurrikulat shërbimet publike të punësimit dhe në fund forcimi i mbrojtjes sociale.
Për secilin nga këto reforma qeveria ka parashikuar mbështetjen buxhetore dhe hapat që do të ndiqen vit pas viti. Një reformë që sillet në vëmendje është edhe ajo në Drejtësi por që fokusi për të është sidomos përgjatë vitit aktual.
Nertila Maho/RTV Scan
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.