4 dokumente të pronës, online – Balluku: Aplikimi nis nga 1 janari, lehtësim për qytetarët
Duke nisur nga data 1 janar 2020, katër prej shërbimeve të Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit, do të ofrohen online, duke bërë që qytetarëve të mos iu duhet më të paraqiten personalisht pranë sporteleve. Bëhet fjalë për aplikim për marrje dokumenti teknik arkivor gen-plan A4 dhe A3, aplikim për marrje dokumenti teknik arkivor dosje pronësie si dhe aplikimi për marrje dokumenti teknik, arkivor, fletë projekti, ndërkohë që ministrja Belinda Balluku shpjegoi procedurën që do të ndiqet.
“Synimi i ofrimit të këtyre shërbimeve është padyshim lehtësimi i procedurave për qytetarët, pasi një nga risitë që shërbimet online sjellin është , zvogëlimi i kohës se aplikimeve dhe nuk i kërkohet më angazhim qytetarit për të mbledhur dokumentacionin plotësues të dosjes, por është vetë agjencia, drejtoria apo institucionet shtetërore, të cilat duhet të garantojnë mbledhjen e dokumentacionit”, është shprehur Balluku
Balluku shtoi më tej se ky proces do të kërkojë një impenjim të madh të të gjithë strukturave, teksa nënvizoi se aplikimi i këtij sistemi do të lehtësojë ndjeshëm qytetarët.
“Sigurisht do të dizenjohet dhe një kuadër ligjor për afatin e përgjigjes, do të jetë një proces i gjatë dhe padyshim do të kërkoj impenjim të të gjithë stafeve, duke filluar nga ministri dhe duke përfunduar tek të gjithë ekspertët apo operatorët. Vitit 2020 përveç të gjitha përgjegjësive, që ne kemi, si MIE ashtu dhe drejtoritë, do të kenë dhe këtë përgjegjësi dhe nisëm të re, që kërkon angazhim maksimal, por padyshim do të lehtësojë jetën e çdo qytetari në vendin tonë”.
Nisma për dixhitalizimin e shërbimeve vjen në kuadër të nismës së qeverisë, që deri në fund të vitit 2020, 91% e shërbimeve që sot ofrohen në sportele, qytetarët të mund t’i aksesojnë online.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.