“Abuzuesit e detyrës 2”, pezullohen nga detyra 7 punonjës policie të dyshuar për shpërdorim detyre
Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat( SHÇBA) Durrës, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Abuzuesit e detyrës 2”.
“Pas një hetimi disa mujor, duke aplikuar metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë së kundraligjshme të subjekteve të këtij procedimi.
Ata dyshohet se duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra dhe funksioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Punonjësit e Policisë kryenin funksione të ndihmës/specialistit për Rendin, në Komisariatin e Policisë Krujë, në DVP Durrës. Shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundraligjshme e këtyre subjekteve është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme, ku veprimet dhe mosveprimet e tyre konsistojnë në favorizime të kultivimit të bimëve narkotike, ndërtimeve pa leje, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos-evidentim të kallzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore, etj.
Gjatë hetimeve u sekuestrua një sasi kanabisi dhe u asgjësuan bimë narkotike” njofton Shërbimi.
Mbështetur në provat dhe faktet e grumbulluara, Gjykata e Krujës caktoi masat e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për:
– Xh.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme;
– S.D., Ndihmës/specialist për Rendin;
– M.C., Ndihmës/specialist për Rendin;
– N.S., Ndihmës/specialist për Rendin;
– K.D., Ndihmës/specialist për Rendin;
– D.S., Ndihmës/specialist për Rendin;
– F.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme.
Referuar njoftimit, hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundraligjshme të këtyre subjekteve dhe të subjekteve të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.