Administrimi i pallateve – Veliaj: Administratorët, gjoba për ata që nuk zbatojnë rregullat
Prezantohen 1147 administratorët e parë që do të menaxhojnë mirëmbajtjen e pallateve në Tiranë. Në këtë aktivitet kryebashkiaku i Tiranës tha se administratorët do të kenë kompetenca jo vetëm të koordinojnë marrëdhëniet mes banorëve për mirëmbajtjen e pallatit, por edhe të marrin masa penalizuese ndaj atyre që nuk duan të zbatojnë rregullat përbashkëta të jetesës në komunitet.
“Në Bashkinë e Tiranës kemi nisur të administrojmë asetet publike që të mos degjenerojnë, ashtu besoj që ka ardhur koha që ky projekt fantastik të finalizohet me 1261 asamble dhe 1147 administratorë pallatesh, të cilët janë gati të fillojnë punën. Arsyeja pse e them këtë është se prej kohësh e kemi pasur këtë anomali në Tiranë. Unë e di që shumica e njerëzve në Tiranë e respektojnë ligjin dhe nuk bëjnë pis, por një përqindje vogël e bën sepse plehrat nuk na i sjellin armiqtë nga jashtë”, tha kryetari Veliaj.
Ndërkohë që kanë nisur aplikimet e para për të përfituar nga fondi i vënë në dispozicion nga bashkia e Tiranës, Veliaj bëri thirrje për banorët e 3000 pallateve të tjerë që ende nuk e kanë zgjedhur një administrator, të nxitojnë të përfitojnë nga ky fond.
Bashkia ka vendosur në dispozicion fondin e komuniteteve rreth 200 milionë lekë që do u vijë në ndihmë banorëve për të rikonstruktuar apo mirëmbajtur pallatin e tyre.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.