Ahmetaj në “Të bësh ekonomi”: Prej 1 marsit, asnjë pagë e sektorit publik nën 30 mijë lekë. Patëm tensione maksimale me FMN
Që prej datës 1 mars, asnjë punonjës i sektorit publik nuk do të marrë pagë nën 30 mijë lekë. Kjo u deklarua nga ministri i Financave Arben Ahmetaj në emisionin “Të bësh ekonomi” të gazetares Vjollca Kongjoni në News24. Gjatë intervistës, Ahmetaj tha se vendimi i marrë nga qeveria për rritjen e pagave llogaritet mesatarisht 10 përqind, megjithatë për sektorë të caktuar ka edhe rritje që shkon në 100 përqind, si p.sh në sektorin e drejtësisë.
Sa i përket rritjes, ministri i Financave tha se është marrë edhe dakordësia e Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe pse për të arritur në këtë vendim janë zhvilluar debate të forta.
“Duhej rakorduar me FMN-në, ndaj rritja u bë në mars. Ka qenë e vështirë të bindnim FMN-në. Kemi pasur gati 2 muaj negociata. Unë e kam filluar në tetor kur ishim në Uashington. Kanë qenë debate të ashpra. Publiku nuk e ka parë dot atë tension në negociata, kanë arritur deri në tension maksimal më duhet të them. Por për për shkak të suksesit në reforma, konsolidimit fiskal, nuk është se toleroi por vetëm lëvizje logjike, që të binte dakord me ne. Kishim 3 vite që nuk kishim bërë rritje. Nuk duhet të harrojmë se ku e nisëm. Ne morëm një shtet të falimentuar” tha Ahmetaj.
E sa i përket rritjes së pagës minimale që prek sektori privat, Ahmetaj tha se mund të ketë një vendim në muajt në vijim. Ministri pranoi se ka një studim të brendshëm për efektet që mund të ketë në ekonomi ky vendim. “Kemi bërë një studim për efektin që mund t’i japë ekonomisë rritja e pagës minimale. E kemi një lloj dakordësi me FMN-në por është në tagër të kryeministrit pasi të shpalosen në tryeznë logika sociale dhe ekonomike. Një rritje, në vazhdën e traditës së pagës minimale, besoj se do të ketë. Ka ardhur koha për ta riparë pagën minimale në traditën e viteve të fundit” tha Ahmetaj.
E sa i përket taksës së pronës, ministri tha se nuk ka asnjë ndryshim të nivelit të saj dhe as nuk ka një vendimmarrje për këtë çështje.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.