Aktiviteti i fabrikave në Eurozonë – Niveli më i lartë në 6 vite, kërkesa e fortë sjell vështirësi
Fabrikat në Eurozonë kanë pasur aktivitetin më të shpejtë në 6 vite gjatë muajit të kaluar, megjithatë, janë gjendur në vështirësi për t’iu përgjigjur një kërkese tejet të fortë.
Indeksi PMI që formulohet nëpërmjet mijëra sondazhesh drejt bizneseve, u rrit në 56.2 pikë për muajin Mars, që është niveli më i lartë që prej Prillit 2011.
Sondazhi tregon se fabrikat kanë rritur çmimet përsëri. Analistët e kompanisë Markit që ndërmerr sondazhet, thonë se prodhimi në Eurozonë po ecën pozitivisht, megjithatë vonesat e dërgesave tregojnë se furnizuesit e kanë të vështirë për ti bërë ballë kërkesës së madhe.
Sinjalet për një përshpejtim të aktivitetit dhe rritje të çmimeve, do të mirëpriten nga politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane, të cilët kanë dështuar prej vitesh për të arritur nivelin objektiv të inflacionit.
Inflacioni në Eurozonë u ngadalësua në muajin Mars, kryesisht prej tërheqjes së çmimeve të energjisë gjatë asaj periudhe. Çmimet në 19 vendet e Eurozonës u rritën me 1.5% në muajin Mars me bazë vjetore, në rënie nga 2% që arritën në Shkurt.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.