Ambasadorja vizitë në Durrës: “SHBA do të ndihmojë Shqipërinë mike në këto momente të vështira”
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka bërë në ditën e sotme një vizitë edhe në qytetin e Durrësit duke u shprehur se ‘këmbëngulja e saj ishte e madhe për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në qytet’. Sipas, ambasadores Amerika si një vend partner i Shqipërisë do të përdorë çdo mundësi për ta ndihmuar vendin të kalojë këtë fazë të vështirë.
Znj. Kim ka bërë një vizitë tek qendrat që po ndihmojnë qytetarët me ndihma dhe ka parë nga afër punimet që po zhvillohen në qytet, në aspektin e rindërtimit:
“Ne donim të vinim këtu për t’i shprehur solidaritetin popullit të Durrësit pas tërmetit të 26 nëntorit. Miqtë festojnë së bashkuar por është më e rëndësishme që ata të ndihmojnë njëri tjetrin kur kanë nevojë.
Kam ardhur për të parë jo vetëm dëmet por edhe përpjekjet që po bëhen për të rikuperuar dëmet. Ju jeni miqtë e Amerikës, ndihma jonë erdhi menjëherë pas fatkeqësisë.
U preka shumë kur pashë kontributet që ne po japim dhe ne jemi shumë krenarë që në kutitë e ndihmave tregohet që kjo është një dhuratë nga populli amerikan. Ushtarakët tanë kanë pasur mundësi të ndihmojë ndërsa përveç atyre që ndihmuan për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat ne sollëm edhe ekspertë”, tha Yuri Kim.
Ambasadorja gjithashtu ka qenë për një takim rreth dy orësh me kryeministrin Edi Rama, të cilin e ka falënderuar për kontributin në forcimin e marrëdhënieve duke kërkuar gjithashtu nga Shqipëria të bëhet një anëtare më e fortë në NATO.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.