Angazhimi për situatën e përmbytjeve, Rama: Shpërblim për Forcat e Armatosura! Rritje pagash për të gjithë ushtarakët
Në takimin falenderues për Forcat e Armatosura, kryeministri Rama ka folur për shpërblimin që do të akordohet për ushtarët e FA, të cilët u përfshinë në përmbytjet e fundit në vend.
Konkretisht, kryeministri foli edhe për rritjen e pagave në vitin 2019, dhe sipas tij 2018 do të jetë viti i fundit që ushtarakët do të kenë pagat ekzistuese.
“Është kuptimplotë për ju dhe familjet tuaja që qeveria të vendosë një shpërblim në shenjë mirënjohje për të gjithë ata që u përshinë në operacionet, ku shteti përballoi një emergjencë të rrezikshme, e në veçanti për ata që ishin në luftë me zjarrin. Angazhohem sot para jush se viti 2018 do të jetë viti i fundit, i cili buxheti i shtetit do të ketë pagat ekzistuese për ju. Do të vendosim të rritim buxhetin për ushtrinë dhe mbrojtjen, në kuadër të angazhimeve në NATO. Rritja do të vazhdojë në vijim për të arritur objektivin që kemi. Në vitin 2019 do të ketë një rritje të konsiderueshme pagash për të gjithë ushtarakët. Është dita për të pasur mirëkuptimin e të gjithëve ju, kur ne mundemi falë reformave dhe ndryshimeve të vazhdueshme do të jemi në gjendje t’ia dalim për të shlyer një borxh të vjetër ndaj të gjitha Forcave të Armatosura”, theksoi Rama.
Ndonëse 105 vjetori i krijimit të Forcave të Armatosura shënoi më 4 dhjetor, Rama i ka uruar sot ushtarakët, duke theksuar: “Duke qenë se më 4 Dhjetor nuk na u dha mundësia të jemi së bashku, për shkak të përmbytjeve sot unë jam këtu për t’ju uruar festën e Forcave të Armatosura”, u shpreh Rama.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.