Arrihet marrëveshja për Brexit – Pesimizmi për fazën e dytë i zë vendin euforisë fillestare

Brukseli dhe Londra arritën më në fund një marrëveshje për Brexit, që do të mund të zhbllokojë fazën e dytë të negociatave, që është edhe faza më e rëndësishme e që i referohet marrëveshjeve tregtare mes dy palëve.
Marrëveshja u arrit përpara agimit të së Premtes pasi bisedimet vazhduan pa ndërprerje gjatë orëve të mbrëmjes së të Enjtes. Pavarësisht se Brukseli deklaroi se lëshoi pe, në fakt Theresa May ka pranuar kushtet e Europës për tre çështjet në tavolinë; marrëveshjen financiare, europianët që do të vazhdojnë të jetojnë në mbretëri si dhe marrëveshjen e kufirit që ndan ishullin me Irlandën pas Brexit. Kjo e fundit ishte edhe pika më e vështirë e negociatave.
Pavarësisht dakordësisë së May, çështja është zgjidhur vetëm në parim dhe parashikohen negociata edhe më të ethshme në muajt në vijim. Paundi britanik u ngjit ndjeshëm pas lajmit, për t`u tërhequr më vonë nga fitimet. Ekspertët shpjegojnë se entuziazmi fillestar u zhbë nga pritshmëritë për negociatat e ardhshme, ato tregtare. Tashmë Britania ka fituar të drejtën që priste me kohë, për të negociuar me Brukselin por edhe me palë të tjera marrëdhëniet post Brexit.
“Shumë kohë kemi humbur me pjesën e thjeshtë dhe tani për të negociuar një marrëveshje tranzicioni dhe kornizën e marrëdhënieve tona të ardhshme kemi de fakto më pak se një vit”-deklaroi Donald Tusk.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.