Anketa e buxhetit familjar- Shqiptarët ‘hedhin’ më pak lekë në arsim, e më shumë në mobilie dhe kujdes personal
Familjet shqiptare ‘hedhin’ më pak lekë në arsim. Sipas Anketës së Buxhetit Familjar të publikuar nga Instat, uljen më të madhe të shpenzimeve mesatare për konsum mujor në vitin 2018, e ka shënuar grupi ‘Arsim’.
Gjatë këtij viti, shpenzimet për këtë grup konsumi janë ulur me afro 20%, krahasuar me vitin 2017. Në vitin 2018, buxheti familjar mujor për arsim ka rezultuar mesatarisht 2 mijë e 300 lekë, ndërkohë që në vitin 2017, shpenzimet mujore për këtë grup konsumi ishin mesatarisht 2 mijë e 868 lekë.
Por, ndërkohë që shpenzimet familjare janë ulur ndjeshëm për arsim, familjet shqiptare kanë shpenzuar më shumë për mobilim, pajisje shtëpiake dhe për mirëmbajtjet e zakonshme të banesës.
Sipas Instat, në vitin 2018 shpenzimet mesatare për konsum mujor për këtë grup konsumi janë rritur me afro 26%, krahasuar me vitin 2017. Nëse në vitin 2017, një familje shpenzonte mesatarisht 3 mijë e 505 lekë në muaj për pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtjen e banesës, në vitin 2019, shpenzimet mujore për këto të fundit, janë rritur me 904 lekë, duke arritur në 4 mijë e 409 lekë.
Po ashtu, sipas Instat, në 2018 rezulton se familjet shqiptare kanë shpenzuar më shumë për të komunikuar, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve të nëngrupit “shërbime telefonike”, duke u diferencuar me afro 11%, krahasuar me vitin 2017.
Po ashtu, shpenzimet familjare kanë ndjerë një rritje të konsiderueshme edhe për grupin e konsumit “Të tjera mallra dhe shërbime”, ku futen produktet dhe shërbimet për kujdesin personal. Në 2017, një familje ka shpenzuar mesatarisht 4 mijë e 480 lekë, ndërkohë që në 2018, kujdesi personal ka kushtuar mesatarisht 5 mijë e 202 lekë, me një rritje afro 16%.
Referuar Instat, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një njësi ekonomike familjare të përbërë mesatarisht nga 3.7 persona, janë 75 mijë e 935 lekë. Këto shpenzime janë rritur me 3.5, në krahasim me vitin 2017.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.