Liberalizimi i vizave për Kosovën – Parlamenti Europian jep mbështetjen e tretë brenda 1 viti
Komiteti i Parlamentit Europian për Liritë Civile (LIBE) votoi pro liberalizimit të vizave për kosovarët, pavarësisht kundërshtimit nga shumë vende anëtare të Bashkimit Europian, kryesisht ato që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Dyzetë e Nëntë deputetë të Komitetit votuan për nisjen e bisedimeve me Këshillin Europian, miratimi i të cilit përbën hapin përfundimtar për kosovarët që të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.
Kjo është hera e tretë që Parlamenti voton për nisjen e bisedimeve në Këshillin Europian, për shkak të kundërshtimeve nga Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Gjatë një debati në një seancë plenare në Mars të këtij viti, deputetja Tanja Fajon, kritikoi qeveritë e BE për kundërshtimin e liberalizimit të vizave ndaj Kosovës. “Qeveritë e BE nuk kanë mbajtur premtimin”, tha Fajon duke shtuar se po bllokojnë një vend të vogël pa arsye konkrete.
Komiteti i kishte dhënë dritën e gjelbër Kosovës në muajin Gusht të vitit të kaluar, për të parën herë. Më vonë gjatë Shtatorit, Parlamenti Europian ra dakord të hapë bisedimet për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, që është i vetmi vend në rajon që qëndron i izoluar. Tashmë, këshilli i ministrave duhet të vendosë Kosovën në listën e vendeve pa viza, në mënyrë që të përfundohet procesi.
Megjithatë, disa vende anëtare argumentojnë se Kosova nuk kualifikohet për liberalizimin, pavarësisht përmbushjes së kritereve, për shkak të shqetësimit mbi një fluks të mundshëm të emigrantëve të jashtëligjshëm. Një raport i publikuar nga SchengenVisaInfo tregon se azilkërkuesit kosovarë nuk duhet të përbëjnë më shqetësim për Bashkimin Europian. Sipas raportit, 12 shtete të tjera ku liberalizimi ka ndodhur prej vitesh, paraqesin ende një numër të lartë të kërkesave të pabaza të azilit, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.