Aplikimet nisin në 20 Korrik – Gjata: Nuk ka rritje të tarifave për mjekësinë
Më 20 Korrik do të fillojë procesi i aplikimit për në Universitetin e Mjekësisë. Për këtë vit akademik nuk do të ketë rritje të tarifave dhe as ndryshim të kritereve.
Ndërkohë, senati i këtij universiteti ka menduar që të rrisë koeficentët për lëndët me zgjedhje, në mënyrë që të ndihmojë më shumë aplikantët. Rektori i Universitetit Mjekësor, Arben Gjata është ndalur dhe në numrin e kuotave të mjekësisë, që për këtë vit do të jenë 300.
“Nuk kemi ndryshim të tarifave. Është rritur numri i studentëve, janë rreth 300 kuota, përfshirë dhe kuotat nga trojet. Janë dhe një numër tjetër kuotash, të cilat janë transferime për të plotësuar disa vende që kanë ngelur bosh gjatë këtyre viteve për shkak të largimit të studentëve”, u shpreh Gjata.
Universiteti i Mjekësisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës. Nga kjo marrëveshje do të ketë përfitime si për studentët, ashtu edhe për pedagogët që do të kenë mundësi të shkëmbejnë eksperiencat e tyre.
Çdo vit, Universiteti i Mjekësisë ka në dispozicion të studentëve nga trojet shqiptare 60-70 kuota.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.