ISHMT del në terren – Kontroll udhërrëfyesve turistikë të huaj

Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë një inspektim gjatë këtij muaji, për të kontrolluar zbatimin e ligjit sa u përket udhërrëfyesve turistikë të huaj.
Inspektimet e para nga ISHMT ishin kryesisht informuese dhe paralajmëruese, ndërsa gjatë kontrolleve në vazhdim do të aplikohen gjoba në rast shkeljeje të ligjit për turizmin. Aktualisht operojnë 199 udhërrëfyes turistikë të certifikuar, të ndarë në tre kategori; udhërrëfyes kombëtarë, lokalë dhe të specialiteteve të veçanta, që shërbejnë në të gjithë territorin e vendit.
Ndërkohë, nga inspektimet u konstatua se nga veriu në jug, në muzeume e parqe arkeologjike ligji është duke u zbatuar dhe udhërrëfyesit e lejuar janë ata të licencuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Rëndësi e veçantë, turizmit nuk po i kushtohet vetëm sa i përket udhërrëfyesve turistikë por edhe duke pastruar plazhet. Në një prej aksioneve masive për pastrimin e plazheve dhe parqeve natyrore të Shqipërisë ka marrë pjesë dhe ministrja, Milva Ekonomi.
“Ju si vullnetarë të shoqërisë civile që punoni për pastrimin jo vetëm të plazheve, por edhe të parqeve dhe në përgjithësi të natyrës, keni bërë një punë të shkëlqyer ndër vite. Keni një reputacion shumë të gjerë. Në fakt, arsyeja pse jemi këtu është që edhe Agjencia e Zonave të Mbrojtura, keni marrë dhe ju një mision që parku duhet mbrojtur dhe duhet mbajtur pastër që të shërbejë edhe më shumë në periudhën turistike për turistët shqiptarë apo të huaj”, iu tha Ekonomi vullnetarëve të angazhuar në aksion.
Në fillim të sezonit turistik, Ministrja e Ekonomisë, iu bashkua nismës Europiane të plazheve të pastra, ndërsa më pas mbështeti iniciativa të shoqërisë civile për të pastruar plazhet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.