Aplikimet për grante në bujqësi – Peleshi: Vitin tjetër, çdo fermer mund të aplikojë nga shtëpia
Vitin që vjen të gjithë fermerët do të mund të aplikojnë për grante nga shtëpia përmes celularit, pa pasur nevojë të paraqiten pranë agropikave.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi gjatë analizës së gjashtëmujorit të parë të mandatit, para Grupit Parlamentar Socialist.
Duke u ndalur më tej te shërbimi ndaj fermerëve, Peleshi tha se do të ngrihen 20 agropika të reja në 20 qytete të vendit.
“Është një hartë me 20 agropika, në 20 qytete të vendit për fermerët me staf të kualifikuar ku merret informacion dhe aplikohet për grante.”
Lidhur me titujt e pronësisë, ministri është shprehur se procesi është në rrugë të mirë, duke vënë theksin te afati i plotësimit deri në fund të vitit. Ndërsa, ka shtuar se regjistrimi i tyre do të bëhet pas krijimit të Agjencisë së Pronave në muajin qershor.
Sa i takon peshkimit, ministri është shprehur se po bëhen përpjekje për ta orientuar drejt qasjes së kooperativave për krijimin e organizatave të peshkimit, duke e përhapur në të gjithë vendin. Ndërkohë, ka deklaruar se kuotat e tonit janë dyfishuar dhe po bëhen negocime për kuotat e açugeve për eksport.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.