ARRSH nis vendosjen e tabelave të reja në aksin Gjirokastër-Sarandë, Qato: Vendosja zgjat 3 ditë, respektohen standartet
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur vendosjen e tabelave të reja në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë. Drejtuesja e ARRSH-së, Sonila Qato sëbashku me deputetin e zonës Andrea Marto kanë inspektuar vendosjen e tabelave emërtuese në këtë aks.
“Tabelat e reja të vendosura do të jenë në përputhje të plotë me standardet e sigurisë, përcaktuar në Kodin Rrugor. Vendosja e plotë e tyre do të zgjasë 3 ditë duke përfunduar plotësisht ditën e premte” njofton Qato.
Çështja e tabelave në këtë aks rrugor ka shkaktuar jo pak debate publike. Pak ditë më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hequr 35 tabela të cilat ishin vendosur jashtë standarteve të Kodit Rrugor. Tabelat ishin vendosur në rrugën kombëtare Qafë Muzinë – Sarandë – Konispol, me emertime të qendrave të banuara në gjuhën minoritare të zonës dhe shqipe.
Ky akt ka sjellë reagimin e ashpër të organizatave minoritare që e kanë cilësuar si shkelje të të drejtave të minoritetit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.