Barbie është rikthyer ‘në jetë’ për t’u bërë një markë miliona dollarëshe
Dëshira gjithnjë e në rritje e fëmijëve për pajisjet teknologjike duke përfshirë video-lojërat, laptopët, apo smartphone-t ka zbehur dëshirën e tyre për lodrat tradicionale. Por, me sa duket kjo i ka gjetur të papërgatitur prodhuesit e këtyre të fundit, të cilët janë përshtatur shumë ngadalë me ndryshimet e fundit.
Në shtator të 2017 kompania e lodrave ToysR US në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpalli falimentimin. Por, gjerat me sa duket kanë ndryshuar kohët e fundit.
Mattel, një nga kompanitë më të mëdha të lodrave në botë, regjistroi një fitim të papritur gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar, kryesisht falë suksesit të një prej markave më të njohura: Barbie.
Shitjet e Barbie në të gjithë botën arritën në T4 në 391 milionë dollarë, duke u rritur me 12% krahasuar me vitin 2017. Por, të ardhurat neto të Mattel për tremujorin e parë ranë nga 1.6 miliardë dollarë në vitin 2017 në 1.5 miliardë dollarë në 2018.
Me sa duket, Mattel po korr një sukses të jashtëzakonshëm me Barbie. CEO i kompanisë, Ynon Kreiz tha se në 2019 Barbie feston 60 vjetorin, ku parashikohen një sërë aktivitetesh dhe eventesh emocionuese.
Më tej, kompania po ashtu ka njoftuar se do të prodhojë po ashtu edhe një film Barbie me aktoren Margot Robbie.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.