BE vështirëson rregullat e eksportit për vaksinat. Kërkon ‘proporcionalitet’ dhe ‘reciprocitet’ nga vendet e tjera, Anglia më e prekura
Komisioni Evropian do të forcojë kriteret për të autorizuar eksportin e vaksinave të koronavirusit të bëra nga BE në një përpjekje për të siguruar furnizime për qytetarët brenda bllokut.
Masa pason disa javë mungesash dhe vonesash, veçanërisht lidhur me kompaninë anglo-suedeze AstraZeneca, e cila ka shkaktuar zhgënjim të madh në të gjithë kontinentin.
Brukseli ka në plan të përfshijë parimet e “proporcionalitetit dhe reciprocitetit” në mekanizmin e transparencës që u prezantua në fund të janarit dhe do të vlerësojë “rast pas rasti” kërkesat e eksportit nga kompanitë farmaceutike.
Kjo do të thotë se vendet udhëheqëse të vaksinimit si Mbretëria e Bashkuar mund të përballen me një detyrë më të vështirë për të marrë vaksina nga vendet e BE-së.
Çfarë do të thotë BE me ‘proporcionalitet dhe reciprocitet’
Proporcionaliteti i referohet situatës shëndetësore të një vendi, si dhe shkallës së vaksinimit dhe disponueshmërisë së dozave. Nëse një kompani synon të eksportojë doza të bëra nga BE në një vend fushata e vaksinimit e të cilit është shumë përpara bllokut, si Britania, kërkesa mund të refuzohet. E njëjta gjë do të zbatohet për vendet ku kriza shëndetësore është më pak e rëndë. Evropa aktualisht po kalon një valë të re infeksionesh.
Me reciprocitet, Brukseli dëshiron të sigurohet që ajo që largohet nga blloku të kthehet – të paktën në një formë. Sjellja reciproke do të sjellë që vendet jo-anëtare të BE-së që importojnë doza të bëra në bllok, nga ana tjetër, do të duhet të dërgojnë në BE doza të tjera të vaksinës ose, përndryshe, përbërës të papërpunuar të nevojshëm për prodhimin e tyre. Shkëmbimi nuk ka pse të jetë ekuivalent i përkryer, thanë zyrtarët e BE, dhe do të vlerësohet me fleksibilitet, duke pasur parasysh që disa vende nuk kanë asnjë lloj kapaciteti prodhues për t’iu përgjigjur. (Burimi: Euronews)
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.