Bie tregtia e jashtme në Gusht – Import-eksport në rënie me 3.4% dhe 7%, vijon efekti i pandemisë
Pandemia dhe kriza ekonomike që e ka shoqëruar vijojnë të kenë ndikim në tregtinë e jashtme të vendit tonë. Të dhënat më të fundit të institutit të statistikave për tregtinë e jashtme tregojnë se, gjatë muajit gusht, eksportet në vendin tonë kanë rënë me 3.4% krahsuar me gushtin e një viti më parë, ndërsa importet kanë rënë me 7%. Në terma mujorë, pra karahasuar me korrikun e këtij viti, eksportet kanë rënë me 21.1% dhe importet me 15.3%, thonë të dhënat zyrtare nga instat.
Rënia më e madhe e importeve ka bërë që edhe defiçiti tregtar të ngushtohet me 9.2%, dhe ka prekur shifrën e 29 miliardë lekëve gjatë muajit të 8-të të vitit. Përgjatë të gjithë tetëmujorit ndërkohë, eksportet regjistrohen në rënie me 15.5% dhe importet në rënie me 12.3%. Rënia vjetore e eksporteve prej 3,4% këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Makineri, paisje, pjesë këmbimi” me -9,2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,6 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastie” me -0,6 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Tekstile dhe kepuce” me +5,2 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +3,5 pikë përqindje e importet ndërkohë, rënia vjetore prej 7,0 % këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -4,1 pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me -2,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -0,8 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Tekstile dhe këpucë” me +0,4 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me +0,1 pikë përqindje.
Në muajin Gusht 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2019 janë: Italia (22,1 %), Gjermania (3,8 %), dhe Greqia (38,6 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kosova (20,0 %), Spanja (27,6 %) dhe Franca (80,3 %). Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve gjatë ngushtit ndërkohë, në krahasim me Gusht 2019 janë: Italia (2,3 %), Turqia (6,1 %) dhe ShBA (3,4 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina (11,4 %), Gjermania (7,2 %) dhe Greqia (2,1 %).
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.